Kombetarja

Mario Mitaj: Kam lindur në Athinë, por nuk jam grek. Jam shqiptar patriot!

Gazeta Si – Nga një ‘bast’ i Silvinjos, në i pazëvendësueshëm në Kombëtare. Mario Mitaj ka bërë një progres të jashtëzakonshëm vitet e fundit, pas kalimit nga Greqia në Rusi dhe tashmë me kuqezinjtë.

Në një rrëfim për shtypin rus, mbrojtësi i majtë ka folur për aventurën greke dhe atë te Lokomotiva e Moskës.

Mario Mitaj gjate nje ndeshjeje me Kombetaren. Gazeta Si, 27 mars 2024

“Kalova një situatë të vështirë në Greqi, ku nuk u besojnë lojtarëve të rinj. Ata presin menjëherë një paraqitje të jashtëzakonshme nga një i ri që në debutim. Në sezonin e parë për AEK-un, kur isha 17 vjeç, luajta 30 ndeshje, kurse sezonin tjetër vetëm dy.

Oferta nga Lokomotiva e Moskës ishte një shans për t’u larguar përgjithmonë nga një vend, ku nuk më besonin. Preferoj të punoj në gjëra, që mund të më bëjnë më të shpejtë, më fleksibël dhe më teknik. Nuk jam një ‘bodybuilder’, që të mbahem te masa muskulore. Një futbollist i dobët mund të jetë mirë për shkak të inteligjencës së tij.

Rusia? Problemi i parë është trafiku, por jam mësuar tashmë. Pastaj çmimet e larta thuajse për gjithçka, jeta në Moskë është shumë më e shtrenjtë se në Greqi. Janë edhe kamerat që kontrollojnë shpejtësinë, vitin e kaluar kisha 5-6 gjoba.

Kam lindur në Athinë, por jam shqiptar. Fakti që kam lindur në Athinë nuk më bën grek. Kam shumë miq atje, flas greqisht dhe e dua atë vend për mundësitë që ka dhënë për mua dhe familjen time, por dashuroj më shumë Shqipërinë time. Jam patriot, kur shoh flamurin shqiptar dhe flas me shqiptarë, mbushem me një ndjenjë krenarie”, - ka thënë Mitaj mes të tjerash.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë