Futboll

“Marca” zbulon: Ronaldo, favorit kryesor për “Topin e Artë”

Kristiano Ronaldo është shumë afër “Topit të artë”, që do të ishte i gjashti për të në karrierë. E përditshmja spanjolle “Marca” zbulon se portugezi i Juventusit është favoriti kryesor për çmimin prestigjioz individual. Në fakt, më shumë se një zbulim është një analizë e një sërë faktorësh, që e kanë çuar gazetën spanjolle në konkluzionin se CR7 është shumë afër çmimit, pasi Luka Modriç arriti vitin e fundit të ndërpriste dominimin e portugezit dhe Lionel Mesit.

Sipas “Marca”-s, rivalët më të fortë të Kristiano Ronaldos janë Mesi, Mbape, Mane dhe Van Dijk. Vendimtar mund të rezultojë rendimenti i Ronaldos në sezonin e parë me Juventusin, ku ai ka fituar titullin kampion në Serinë A dhe Superkupën e Italisë. Po ashtu, ndikon edhe fakti se portugezi ka shënuar në të gjithë ndeshjet e rëndësishme të Ligës së Kampionëve dhe është i treti në listën e shënuesve më të mirë të Serisë A, me 21 gola. Pastaj, edhe fitimi i Ligës së Kombeve me Portugalinë ka peshën e vet, që mund ta çojë Ronaldon te “Topi i artë” i radhës.

Kristiano Ronaldo

Pak ditë më parë është evidentuar edhe kandidatura e portierit të Brazilit, Alison, për fitimin e “Topit të artë”. Ai fitoi Ligën e Kampionëve me Liverpulin dhe u shpall kampion i Amerikës së Jugut me Brazilin vetëm disa ditë më parë. Janë dy trofe të rëndësishëm, por për portierët ka qenë gjithmonë e vështirë ta fitojnë çmimin e “Topit të artë”, që duket se do të rikthehet te Ronaldo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë