Sociale

Maqedonia e Veriut përgatitet për 2500 të infektuar brenda dy javësh!

Maqedonia e Veriut po përgatitet që në dy javët e ardhshme të ketë deri në 2500 të infektuar. Kryeministri Oliver Spasovski deklaroi sot gjatë një konference për shtyp se vendi fqinj po hyn në një fazë kritike të epidemisë.

Kreu i qeverisë teknike deklaroi se piku i koronavirusit jo vetëm në vendin fqinj por edhe në rajon pritet në 2-3 javët e ardhshme.

“Jetojmë në kohën e një pandemie që deri më sot nuk e kemi parë ndonjëherë. Asnjë vend nuk arrit të mbronte kufijtë nga armiku. Virusi nuk njeh kufij dhe nuk zgjedh se kë do të sulmoj, Pasojat ndaj ekonomisë nuk mund të llogariten. Numri i të prekurve po vjen duke u rritur”, deklaroi kryeministri Spasovski.

Në 24 orët e fundit në Maqedoninë e Veriut priten tre viktima dhe 15 të infektuar me koronavirus. Me të dhënat e fundit numri i viktimave ka shkuar në 21, ndërsa i të infektuarve në 570.

Viktima e fundit është shënuar në Tetova dhe është një i moshuar që vuante  nga probleme të mëparshme shëndetësore. Vajza e tij ka denoncuar neglizhencën e personelit mjekësor në Spitalin e Kozles në Shkup. Numri më i madh i të prekurve vazhdon të mbetet në Shkup dhe Kumanovë.

“Mesatarja e testeve për një ditë është 350. Numri i rasteve të reja sot ka qënë i vogël si pasojë e fundjavës, deklaroi Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.

Aktualisht, 74 pacientë mësohet se janë shtruar në spital në Klinikën e Sëmundjeve Infektive në Shkup dhe 15 janë n gjendje të rëndë klinike,.

Nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut janë prekur edhe 12 policë. Mediat në Shkup shkruajnë se 45 oficerë janë në vetë-izolim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë