Kombetarja

Manovrat kuqezi para Izraelit, Reja kthen Shqipërinë me 4 mbrojtës

Gazeta Si - Mungesat e Gjimshitit dhe Kumbullës, dy nga kolonat më të rëndësishme të mbrojtjes, kanë bërë që trajneri Reja të ndryshojë rreshtimin në prapavijë para Izraelit. Manovrat në stërvitje para ndeshjes me Izraelin lënë të kuptohet një gjë e tillë.

Si Gjimshiti, ashtu edhe Kumbulla, janë mësuar të luajnë me tre mbrojtës me klubet e tyre dhe prej tyre në një farë mënyre është ndikuar edhe skema e Kombëtares. Tani trajneri Reja ka një plan tjetër.

Kombetarja ne stervitje. Gazeta Si, 22 shtator 2022

Ai do të aktivizojë 4 lojtarë në mbrojtje dhe konkretisht Balliun në të djathtë, Ismajlin dhe Veselin në qendër, ndërsa Hysaj në të majtë. Alternativa janë Mihaj dhe Ajeti.

Në mesfushë do të zënë vend Abrashi, Gjasula dhe Asllani. Përpara tyre do të pozicionohet Bajrami, i cili do të luajë pas shpinës së dy sulmuesve dhe do të ndihmojë pak edhe mesfushën.

Për dyshen e sulmit, Cikallsshi dhe Broja janë të favorizuar. Kavajasi është një pikë referimi për Rejën, ndërsa Broja nuk mund të qëndrojë në stol. Uzuni ka pasur shqetësime fizike ditët e fundit dhe do të qëndrojë në stol.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë