Futboll

Mandati i ri, Armand Duka: Gjithë ajo furtunë e bashkoi edhe më shumë futbollin!

Gazeta Si - Pasi fitoi mandatin e 6-të në krye të FSHF-së, presidenti Armand Duka foli shkurt në Asamble, duke i falënderuar të gjithë për besimin. Disa orë më pas ai u ndal më gjatë në atë që synon të bëjë për 4 vitet e ardhshme për futbollin shqiptar.

“Do doja të falenderoja sërish të gjithë ata që kanë mbështetur këtë projekt, apo kanë vlerësuar rezultatet e deritanishme. Ka vërejtje dhe do ketë vërejtje, kritika e sugjerime, të cilat janë normale, janë të domosdoshme e konstruktive. Unë dhe Komiteti Ekzekutiv i ri do t’i mbajnë shënim për t’u përmirësuar”, - theksoi Duka.

Pastaj kreu i FSHF-së u ndal te situata e kohëve të fundit: “Nuk do harxhojmë kohë, me sportivitet do të anashkalojmë çdo lloj baltosje, fyerje, ofendimi. Duam t’i përqendrojmë të gjitha energjitë pozitive për zhvillimin e futbollit, për përforcimin e institucionit dhe për të ardhmen e fëmijëve tanë. Ishte një fushate jo e zakontë, që mbase me gjithë atë fortunë të ngritur, ato sulme të ngritura, e bashkoi më shumë familjen e futbollit për të dalë në një votëbesim për 4 vitet e ardhshme.

Në Asamble munguan shumë pak, ka qenë një pjesë e përzierë politikisht dhe jo për motive sportive. Do të punoj pa reshtur, bashkë me të gjithë kolegët, që ftubolli vërtet të vendosë për futbollin 100% në të ardhmen. Mos të humbim kohë për të sulmuar padrejtësisht njëri-tjetrin. Për të kritikuar duhet të vazhdojmë çdo ditë, apo në çdo vendim e veprim, që duket i padrejtë, por të mos humbim kohë për ofendime. Të bashkojmë forcat!

Ishin zgjedhjet më të pazakonta, më shumë kanë patur retorika. Ka patur sulme nga segmente të politikës dhe jo alternative, apo shpalosje programesh për të mirën e futbollit. Gjithsesi, jemi mësuar me aksione dhe me aksion do të arrijmë, që finalja e Ligës së Konferencës të jetë e shkëlqyer”.

Presidenti Duka preku edhe çështjen e kohës së gjatë që ai ka në krye të FSHF-së. “Ka shumë që pyesin: pse kaq shumë vite, dikush tjetër mund ta bëjë më mirë etj. Njerëzit në futboll investojnë jo vetëm financa, investojnë edhe ekohën e tyre. Në fund të fundit, besojnë dhe fëmijët e tyre për t’u trajnuar, për t’u stërvitur. Për sa kohë ata u besojnë këtyre projekteve fituese, duhet të vazhdojmë të jemi me fituesit. E thashë dhe në Asamble se koha e gjatë në drejtim të futbollit mund të ketë hijet apo vërejtjet e veta, por do ta konsideroja vlerë për vendimarrjet e duhura, në kohën e duhur dhe për të mirën e lojës”, - shtoi Duka.

Projekte me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut? “Kemi bërë të gjitha përpjekjet që, përveç zhvillimit të futbollit në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, të bashkojmë dhe ata që duhet të na bashkojnë nëpërmjet lojës. Në fund të fundit, jemi një popull, kemi të njejtën kulturë. Kemi bërë aktivitete sporadike, por projekti i madh ishte Kupa ‘Nënë Tereza’, që pandemia e bëri të vështirë organizimin. Ky projekt duhet të vazhdojë për të qenë një kupë gjithëpërfshirëse e të gjithë shqiptarëve”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë