Politike

Mandati i Gjinushit, kanabisi dhe studentët ndezin Kuvendin, Bardhi paralajmëron: Edhe dy ministra të tjerë do të shkojnë në burg (debati) 

Mandati i dytë i Skënder Gjinushit trazoi më shumë Kuvendin sesa dy projektligjet e tjera po aq të debatueshme ai për kanabisin mjekësor dhe diplomat e studentëve.   

Fillimisht Kuvendi miratoi ndryshimin për rendin e ditës duke futur  projektligjin për Akademinë e Shkencave, që në bazë të rregullores duhej të protokollohej 48 orë më parë dhe jo 24 orë. Këtë fakt e denoncuan edhe deputetë të PD

Sipas deputetes se PD, Ina Zhupa, kalimi i këtij drafti nuk ka ende raport të relatorëve nga komisioni i Medias pasi nuk ka përfunduar ende. ”Na lini kohë neve si relator në shtator që ne të marrim edhe mendimin e Këshillit të Ministrave për këtë draft, por nuk mund të miratoni një projektligj  pa raportin shoqërues”.

Ina Zhupa kujtoi gjithashtu se drafti kaloi vetëm një ditë më parë ( dhe jo dy dite siç e kërkon rregullorja) me votat e deputetëve te PS-së pa u njoftuar zyrtarisht PD-ja dhe as kryetarja e komisionit të Medias.     

Deputeti i Partisë Demokratike Gazment Bardhi tha se votimi për Gjinushin u bë në mungesë të kuorumit të nevojshëm.

Nikolla tha se ndryshimi i rendit të ditës u bë me 69 vota pro. Por sipas Bardhit ishin më pak.

Duke qenë se kaloi një draft jashtë rendit të ditës, opozita këmbënguli që të pranohej edhe kërkesa e saj e protokolluar sipas rregullores për interpelancë me kryeministrin Edi Rama për dosjen e inceneratorëve, një kërkesë që më herët konferenca e kryetarëve e kishte rrëzuar.

“Ka dy ministra në burg po bëhen gati dhe dy ministra të tjerë ti bëjnë shoqëri dhe Rama të vijë të japë llogari. E kuptoj frikën. Ka ca kohë që kërcënon nëse ngrihet ndonjë zë do ju çoj në zgjedhje të parakohshme por frika juaj e frika e Edi Ramës nuk mund të jetë e këtij parlamenti”, tha Gazment Bardhi

Më herët, Sali Berisha shpërndau në Kuvend foto të montuara të Edi Ramës me kanabis apo kabinetin qeveritar duke e shoqëruar me dixhiturën “mafia e plehrave”    

“Kushtetuta e parlamentit thotë në mënyrë tekstuale, se një ligj nuk  mund të hyjë në rend dite pa kaluar 48 orë. Ti kryen një shkelje të rëndë ligjore të barabartë me banditët Rraja që rrihni qytetarët me shkopa bejsbolli.

Si mund ti lejosh vetes ti, një gjë të tillë. Nëse ju doni të bëni këtë gjë, ndryshoni rregulloren e parlamentit me procedurën e saj, dhe pastaj zbatoni marrëveshjen Rama-Doshi, Doshi-Rama dhe Gjinushi. Por ky është i turpshëm, është një akt i turpshëm kjo që bëni. Ky është një provokim i ulët, një shkelmim i ligjeve.

Kur kryetarja e parlamentit që duhet të jetë mbrojtëse, zbatuese kryesore e rregullores, apo kushtetutës së parlamentit e shkelmon atë me dy këmbët, për interesat e Skënder Gjinushit, Tom Doshit dhe Edi Ramës, ky është fundi i këtij parlamenti”, tha Berisha duke iu drejtuar më pas Ramës në mungesë.

“Ai zotëria që nxin aty me mungesën e tij duhet të vijë në parlament. Sot mbyllet parlamenti, mbyllet me faqe të zezë për shkakto tij, prandaj të vijë këtu e të dalë para shqiptarëve, sepse ka një mocion dhe një interpelancë për arratisjen nga vendi të numri 2 të qeverisë, akt i pashembullt në historinë e shtetit shqiptar në momentin që u kërkua nga drejtësia.

Kurse ju, ngriheni kundër Kushtetutës, doni të rrëzoni të drejtën me vota këtu dhe ai nuk paraqitet në Kuvend. Kush do të flasë për zv/kryeministrin? Do të flisni ju, jo ju s’keni tagër, do të flasin ministrat, jo ata  nuk kanë tagër. Duhet të vijë kryeministri këtu para shqiptarëve të kërkojë të falur, të denoncojnë arratisjen e zëvendësit të tij dhe të japë dorëheqjen. 

Të japë dorëheqjen, kjo është rruga dhe këtë presin shqiptarët sot prej tij”, tha ai.

Berisha kërkoi më vonë që të nxirren menjëherë jashtë rendit të ditës në seancën parlamentare tre projektligjet nga mazhoranca për Akademinë,  për studentët e mjekësisë dhe ligjin për legalizimin e kanabisit.

Foltorja është bllokuar disa herë në Kuvend nga Flamur Noka dhe deputetë të tjerë mbështetës të Berishës, duke çuar në ndërprerjen për 30 minuta të seancës.

Pas rikthimit në seancë, PS hodhi në votim kërkesën e opozitës për mocion me debat dhe interpelancë për inceneratorë, dy kërkesat e PD

“Nuk pranohet kërkesa për mocion me debat dhe interpelanca” tha Ermonela Felaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë