Futboll

Mançester Siti kampion i Anglisë, Liverpuli i dyti dhe Junajtid jashtë Championsit

Një kampionat mjafti bukur, i mbushur me emocione deri në javën e fundit të tij dhe i finalizuar me Mançester Sitin kampion të Anglisë. Liverpuli duhet të kënaqet me vendin e dytë dhe të shpresojë të fitojë finalen e Champions League ndaj Totenhemit. Asnjë surprizë në javën e fundit të kampionatit, edhe pse në një moment Brajtoni befasoi me golin e avantazhit ndaj skuadrës së Pep Guardiolës, por vetëm kaq. Vetëm një minutë më pas "qytetarët" barazuan me Aguerro dhe më pas erdhën golat e tjerë me Laporte, Mahrez dhe Gundogan. Siti ruan kurorën e kampionit me jo pak vështirësi.

Titulli në Premier League mbetet "i mallkuar" për Liverpulin, qe edhe këtë radhë nuk ia ka dalë, edhe pse ka qenë shumë pranë. Të besuarit e trajnerit Jurgen Klop e fituan 2-0 ndeshjen me Volverhemptonin, me dygolëshin e Sadio Mane, por mbetën një pikë pas Mançester Sitit. Livepuli e mbyll i dyti, por ka një shans mjaft të mirë ta mbyllë sezonin me një trofe të rëndësishëm, atë të Champions League, nëse fiton në finale me Totenhemin.

Befasia më e madhe për këtë kampionat në Premier League është se Mançester Junajitd, klubi që ka shpenzuar më shumë, e ka mbyllur në vend të 6-të, duke mbetur jashtë Champions League për sezonin e ri. "Djajtë" u mundën 0-2 në fushën e tyre nga Kardifi në javën e fundit. Në Champions shkojnë edhe Çelsi dhe Totenhemi, që zunë përkatësisht vendin e tretë dhe të katërt. Kardifi, Fulhemi dhe Hudërsfilldi bien një kategori më poshtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë