Sociale

Manastirliu: Vaksinim kapilar në të gjithë vendin, ulim fashën e grupmoshave

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka thënë se vaksinimi masiv do të shtrihet në mënyrë kapilare në të gjithë Shqipërinë.

Ajo pohoi se brenda kësaj jave do të ulet edhe fasha e grupmoshave që do të marrin dozën e parë të vaksinës anti-Covid.

“Brenda kësaj jave, synojmë që të ulim fashën, grupmoshën për vaksinim. Por nga ana tjetër, paralelisht do të vijojmë me planin tonë të vaksinimit për ata të cilët janë më vulnerabil, - shpjegoi Manastirliu. - Duke filluar nga dita e sotme, fillon edhe vaksinimi i farmacistëve. Ndërkohë që po vijojmë me vaksinimin e efektivëve të policisë, po vijojmë me vaksinimin e stomatologëve në të gjithë vendin. Jemi duke ecur me ritme të shpejta për vaksinimin masiv të popullatës sipas grupmoshave, por nga ana tjetër dhe të grupeve të cilat janë grupe të rrezikuara, duke bërë pikërisht vaksinimin e kombinuar, atë që ne kemi përcaktuar në planin tonë të vaksinimit kombëtar”, tha Manastirliu.

Procesi i vaksinimit anti-Covid vijon në të gjithë vendin, në qendrat e vaksinimit të përqendruara si dhe në qendrat shëndetësore.

Deri tani, janë kryer 221,680 vaksinime, nga të cilat 153,495 janë të moshuar të vaksinuar në të gjithë vendin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë