Sociale

Manastirliu: Ulet fasha e moshës për vaksinimin anti-Covid deri në 50 vjeç

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka njoftuar se fasha e moshës do të ulet deri në 50 vjeç. Ministrja shpjegoi se brenda dy ditëve pritet të mbërrijnë në vend 100 mijë doza të vaksinës Coronavac, ndërsa të hënën do të vijnë edhe 11700 doza Pfizer.

Për sa i përket qendrave shëndetësore verore, Ministrja tha se kanë hapur 29 qendra shëndetësore.

“Në Malin e Robit në Kavajë, pikë e kujdesit shëndetësorë gjatë verës është edhe shërbimi i testit të shpejtë për kapjen në kohë të rasteve që mund të diagnostikohen me Covid-19. Ne jemi duke punuar që përgjatë sezonit veror të kemi një vëmendje të posaçme te vaksinimi,” shpjegoi Manastirliu.

Deri më tani ka vijuar vaksinimi masiv me kalendar të kombinuar, për personat mbi 57 vjeç dhe punonjës të shërbimeve kritike.
Në 24 orët e fundit janë kryer 8,401 vaksinime dhe prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 862,628 doza të vaksinës ndaj COVID19. Prej tyre 351,453 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës anti-Covid.
Deri më tani kanë përfunduar vaksinimin me dozën e parë kategoritë e mësuesve, policëve dhe një pjesë e të personave mbi 60 vjeç, gjithashtu paralelisht kanë marrë vaksinën edhe personat që bëjnë pjesë në grupet e riskut.

Në një dalje për mediat Ministria Manastirliu më herët ka theksuar se pritet që deri në fund të qershorit kanë për të marrë dozën e parë të vaksinës rreth 1 milion qytetarë. Ndërkaq  ekspertët e shëndetit publik në vend kanë shpjeguar për Gazetasi.al se pas arritjes së këtij objektivi do të synohet vaksinimi me dy doza për 500.000 qytetarë dhe më pas do të ulet fasha e moshës deri në 30 vjeç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë