Sociale

Manastirliu: Situata delikate, rrisim kapacitetet e testimit dhe gjurmimit

Ministrja e Shëndetësisë dhe Drejtuesja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik deklaruan se po punohet intensivisht, jo vetëm në laboratorin e ISHP, por edhe me institutet ndërkombëtare për identifikimin e mutacioneve të COVID-19.

“Ne jemi duke shfrytëzuar dhe metodika të tjera, të cilat na janë vënë në dispozicion nga kolegë të ndryshëm në lidhje me testimin nëpërmjet PCR, për identifikimin, jo saktësisht të variantit, por që identifikojmë nëse kemi të bëjmë me diçka të re. Ndërkohë po bëhen gati mostrat e tjera për t’u dërguar pranë Institutit të Virologjisë Charite në Berlin. Dhe natyrisht kjo është një punë që do të vazhdojë, krahas punës së laboratorit me PCR, do të vazhdojë edhe puna për dërgimin e vazhdueshëm të mostrave në lidhje me identifikimin e të gjitha varianteve të reja, jo vetëm variantit britanik, por të çdo lloj variant të ri, në mënyrë që këto mutacione të kapen në kohë”, tha Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë dhe Kontrollit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino.

Ndërsa Ministrja Manastirliu shtoi se testimi i shpejtë ka nisur në 4 pika të reja në Qendra Shëndetësore në Tiranë, duke e çuar në 10 numrin e tyre dhe tashmë në këto pika do të kryhet edhe testimi me metodën klasike të PCR.

“Ne kemi vendosur që në këto pika testimi të përfshijmë gjithashtu dhe testimin nëpërmjet PCR. Ky një element i shtuar për sa i përket punës dhe identifikimit të rasteve të dyshuara në territor. Por edhe punës që ne jemi duke bërë për kapjen e mutacioneve dhe varianteve të reja, që është një pikë shumë e rëndësishme dhe për të cilën janë trajnuar i gjithë ekipi ynë i epidemiologëve. Ne jemi në bashkëpunim edhe me institutet ndërkombëtare për identifikimin dhe kapjen në kohë të varianteve të reja të COVID19”, tha Manastirliu.

Më tej Manastirliu shtoi se janë dhjetë pika testimi në Tiranë, ndërsa në të gjithë vendin janë 55 pika të testimit të shpejtë. Gjtihashtu, shpjegoi se deri  më tani janë kryer mbi 75,000 teste të shpejta në komunitet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë