Sociale

Manastirliu: Së shpejti marrëveshja me BE për vaksinat

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu dhe Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri Luigi Soreca, gjatë një vizite në QSUT u shprehën se po punohet për finalizimin e marrëveshjes me BE për vaksinat anti-covid.
“Sfida e radhës e të gjithëve ne është vaksina. Për të vijuar për të siguruar vaksinimin edhe në vazhdim, paralel me çfarë qeveria shqiptare është duke bërë. Ne presim javën që vjen, në fillim të javës, rreth 9 mijë doza të tjera të vaksinës Pfizer. Qeveria shqiptare aktualisht ka parapaguar dozat për 800 mijë qytetarë, qoftë nëpërmjet instrumentit Covax, qoftë nëpërmjet kontratës direkte me Pfizer-in. Dhe po vijojmë të negociojmë për të pasur kontrata të tjera. Vaksinimi është sfidë, është një proces, është një qëllim në vetvete për të përshkruar me shpejtësi kilometrin e fundit drejt fillimit të fundit të pandemisë”, u shpreh Ministrja e Shëndetësisë.
Ndërsa ambasadori u shpreh se po negociohet një marrëveshje, për një grant prej më shumë se 11 milion euro për vaksinat. Për pajisjet për të shpërndarë vaksinat, por gjithashtu dhe blerjen e vaksinave. Ministrja Manastirliu vlerësoi mbështetjen e vendeve të Bashkimit Europian në këtë vit të pandemisë dhe është shprehur se Bashkimi Europian ka ndihmuar për pajisje mjekësore si monitorë, respiratorë, autoambulanca, grafi, etj dhe kjo është mbështetja e tetë në këtë vit pandemie e BE për spitalet COVID si dhe spitalet rajonale në vend. Ndërsa Ambasadori Luigi Soreca ka vlerësuar bluzat e bardha në Shqipëri, duke u shprehur se edhe vetë ka zgjedhur të trajtohet nga mjekët këtu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë