Sociale

Manastirliu: Rritëm me 30% ekipet e epidemiologëve

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha sot se me hapjen e shkollave janë shtuar edhe grupet e punës në terren, për gjurmimin, hetimin dhe testimin e vatrave të reja

“Tashmë në gjithë Shqipërinë nga 54 ekipe terreni, ne kemi rritur me 30% ekipet, duke e çuar në 70 ekipe terreni. Përpos kapaciteteve logjistike të shtuara me 12 njësi lëvizëse, falë edhe bashkëpunimit dhe ndihmës së USAID, pra qeverisë Amerikane. Ne tashmë kemi mundësinë që me ekipet e shtuara në terren, të epidemiologëve, profesionistëve të shkencave mjekësore që janë punësuar dhe do të vijojnë që bëhen pjesë e ekipeve tona aktuale, të mundemi të rrisim kapacitetet e gjurmimit, hetimit dhe testimit në të gjithë vendin”, tha Manastirliu.
Ministrja Manastirliu më tej ka shpjeguar  se me hapjen e shkollave do të vijojë të jetë rritja e kapaciteteve dhe marrja e të gjitha masave për hetimin epidemiologjik.
“Hapja e shkollave do të shoqërohet me një rritje të kapaciteteve, qoftë përsa i përket gjurmimit, hetimit epidemiologjik dhe testimit gjithashtu. Ndaj vendosja e ekipeve të reja është një vlerë e shtuar përsa i përket kapaciteteve të burimeve njerëzore në Njësinë e Kujdesit Shëndetësor. Sigurisht që bashkëpunimi me koordinatorët e shkollave, bashkëpunimi me mjekët, infermierët dhe përgjegjësit në çdo shkollë apo grup shkollash, do të luajnë një rol të shtuar në të gjithë strategjinë e testimit, gjurmimit dhe izolimit të rasteve”, tha Manastirliu, e cila ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë vigjilent, pasi virusi është ende prezent. Ajo shtoi se lufta me këtë virus nuk ka përfunduar dhe ai është një rrezik eminent për të gjithë.
"Ne po vijojmë me rritjen e kapaciteteve që këputja e zinxhirit të infeksionit të bëhet në kohën e duhur," shtoi Manastirliu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë