Sociale

Manastirliu: Nis vaksinimi i personave me dializë dhe sëmundje kronike

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka ndjekur nga afër vaksinimin e qytetarëve që kryejnë dializë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë dhe është shprehur se janë më shumë se 1200 dializantë, të cilët do të vaksinohen në të gjithë vendin.

“Kemi vendosur që vaksinimin e personave që bëjnë dializë, edhe për të ndjekur kushtet e sigurisë, edhe për të mundësuar vaksinimin e shpejtë të tyre, ta kryejmë pranë qendrave të dializës, qoftë në sistemin publik, qoftë në sistemin jo publik. Dhe gjithashtu fillojmë edhe vaksinimin e personave që kanë kryer transplant dhe sigurisht vaksinimi do të kryhet me përparësi për të gjithë ata individë, të cilët kanë sëmundje kronike të riakutizuara, sipas rekomandimeve mjekësore”, tha Manastirliu.

 Ministrja shtoi gjithashtu se po vijon vaksinimi i kombinuar në të gjithë vendin, ndërsa bëri me dije se deri tani janë vaksinuar mbi 190 mijë të moshuar.

 “Kemi vijuar me vaksinimin masiv të popullatës dhe do të arrijmë sot mbi 270 mijë vaksinime. Ndërkohë që kemi arritur që të vaksinojmë me dozën e parë mbi 190 mijë të moshuar. Sigurisht kjo jep më shumë garanci për mbrojtjen e jetës së tyre. Dhe ne do të vazhdojmë të jemi po kaq të kujdesshëm për vijimin e rivaksinimit me dozën e dytë”, nënvizoi Manastirliu.

Ndërkaq në fjalën e saj Ministrja u shpreh se brenda muajit maj do të realizohet plani për 500 mijë vaksinime në rang kombëtar. Që prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 267,556 doza të vaksinës ndaj COVID-19,prej tyre 192,209 vaksinime për të moshuarit; 36,939 vaksinime për personel shëndetësor; 27,090 për arsimtarët; 10,835 vaksinime për punonjës të policisë, etj. Deri tani, në Shqipëri kanë mbërritur 396,560 doza vaksinash, ndërsa qeveria shqiptare ka siguruar deri tani përmes kontratave të ndryshme, mbi 2.1 milion doza vaksine.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë