Sociale

Manastirliu: Maska e detyrueshme në ambientet e mbyllura

“Maskat ose barrierat e mbrojtjes prej tekstili do të jenë të detyrueshme të mbahen në ambientet e mbyllura nga çdo qytetar,” ka deklaruar Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.
Ministrja bëri me dije se me vendimin e Komitetit Teknik të Ekspertëve është vendosur që maska të jenë të detyrueshme në transportin publik apo në aktivitetet me rrezikshmëri të lartë. Manastirliu deklaroi se tashmë do të jenë të detyrueshme për të gjithë individët për t’u përdorur në ambientet e mbyllura.
“Të gjithë ata individë që nuk do ta përdorin barrierën mbrojtëse, sipas udhëzimeve të Ministrisë së Shëndetësisë, do të penalizohen. Për ata të cilët janë skeptikë dhe nuk zbatojnë rregullat, u them që të shkojnë të takojnë të afërmit e familjarëve të cilët janë të shtruar në spitalin infektiv dhe të shohin se çfarë vuajtjesh kanë ata pacientë. Por ne mund ta luftojmë këtë sëmundje, duke përdorur armët e thjeshta, siç është përdorimi I maskës. Komunitetet shkencore e kanë pohuar se maskat/barrierat mbrojtëse e reduktojnë përhapjen e infeksionit në ambientet e mbyllura. Është shumë efikase, pasi redukton transmetueshmërinë. Nëse e vendosim të gjithë, ajo përkthehet në një armë mbrojtëse për mospërhapjen e këtij infeksoni. Është shumë e rëndësishme që të na mirëkuptojnë të gjithë qytetarët, që ky është një akt që bëhet për të mirën e shëndetit. Shëndeti nuk ka çmim”, bëri të ditur Manastirliu.
Ministrja shtoi se detyrimi për vendosjen e barrierave mbrojtëse në ambientet e mbyllura do të përcaktohet me aktin normativ, ku do të përcaktohen edhe penalitetet për mosrespektimin e këtij detyrimi në ambientet e mbyllura.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë