Politike

Manastirliu: E tmerruar nga shfaqja e takimit të Bashës

Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu thanë se janë të tmerruar nga takimi i kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha me dhjetëra banorë në zonën e ish-Kënetës në Durrës, duke shkelur protokollin anti-covid, duke mos respektuar asnjë masë dhe distancë. Ata postuan foto nga ky takim. Rama deklaroi se “kësaj i thonë të rrezikosh jetën dhe shëndetin e njerëzve për të luajtur një pllakë gramafoni”.

“Si ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale jam e tmerruar nga kjo shfaqje ekstreme papërgjegjshmërie, në kushtet e hapjes, kur më shumë se kurrë njerëzit duhet të respektojnë rregullat e mbrojtjes nga COVID-19, sepse ekspozimi është i madh”, deklaroi Ogerta Manastirliu.

Duke publikuar foto nga takimi I Bashës në Durrës, ajo ngre pyetjen se si mund të jepet kjo shfaqje dhe cili lider në botën e sotme jep këtë shembull thjesht për interesin e vet politik?!

“Zoti Basha mund t'i thotë të tëra ato që ka për të thënë, pa vënë në rrezik shëndetin e njerëzve në këtë formë ekstreme papërgjegjshmërie. Numrat e rritur janë efekt i parashikuar i hapjes. Por kjo ngjeshje njerëzish për qëllimet e një njeriu mund t'i rrisë numrat përtej parashikimeve më negative dhe kostoja mund të bëhet marramendëse!”, thotë Manastirliu.

Ajo u bën thirrje qytetarëve të mos bien pre e kësaj papërgjegjshmërie të pajustifikueshme dhe zotit Basha të mos i faturojë njerëzve e vendit, koston e papërballueshme të luftës së tij të dëshpëruar për pushtet.

Për qëndrimin e ministres së Shëndetësisë Manastirliu dhe  kryeministrit Rama, pati një reagim nga PD-ja.

“Edi Rama nuk tmerrohet nga shndërrimi i QSUT-së në vatër infeksioni për dhjetëra pacientë, mjekë dhe infermierë.

 Është fakt se sot vatra e vetme e infeksionit masiv është spitali, që duhet të ishte vendi më i sigurtë e ku masat të ishin me rigoroze.

 Edi Rama nuk tmerrohet nga varfëria e shqiptarëve dhe nga papunësia masive e tyre.

 Edi Rama e përdori coronavirusin për të shtypur, vjedhur dhe gënjyer qytetarët.  Është fakt se Edi Rama është i vetmi Kryeministër në botë që vjedh me tendera sekret e koncesione për oligarkët, dhe urdhëron prishjen e Teatrit në mes të pandemisë.

 Ndaj Edi Rama ka të drejtë të tmerrohet nga bashkimi i shqiptarëve, që i la pa asnjë ndihmë, pa asnjë mbrojtje, dhe i vodhi e varfëroi edhe gjatë izolimit…”, tha Gazment Bardhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë