Kombetarja

Manaj dhe Uzuni “çajnë” San Marinon, Shqipëria mban vendin e tretë në grup (video)

Ka përfunduar 0-2 ndeshja e kuqezinjve në San Marino. Me gola të Manajt dhe Uzunit në pjesën e dytë, skuadra e Rejës ka marrë fitoren e dytë në këto eliminatore, duke u ngjitur në kuotën e 6 pikëve. Pas kësaj fitoreje, Shqipëria mban vendin e tretë në Grupin I, pas Anglisë dhe Hungarisë.

Të dy golat erdhën në 45-minutëshin e dytë, pasi në të parën kuqezinjtë nuk arritën ta çanin “bunkerin” e ekipit vendës. Manaj zhbllokoi shifrat me kokë në minutën e 63-të, pas krosit të Uzunit. Ky i fundit realizoi golin e dytë në zhvillimet e një goditjeje këndi, duke devijuar nga afër drejt rrjetës një top të gjuajtur nga Veseli. Hysaj dhe Gjimshiti goditën shtyllën në këtë ndeshje të dominuar nga Kombëtarja jonë.

Trajneri Reja zgjodhi dyshen Broja-Manaj nga minuta e parë. Në portë luajti Tomas Strakosha, kurse në mbrojtje Gjimshiti, Ajeti dhe Veseli. Në mesfushë këtë herë trajneri italian aktivizoi Ramadanin, Baren dhe Laçin, kurse nga krahët Hysajn dhe Lenjanin. Në pjesën e dytë u aktivizuan Roshi, Uzuni, Cikalleshi dhe Mario Mitaj, i cili bëri debutimin me fanellën kuqezi.

Në Grupin I, ku bën pjesë Shqipëria, Anglia kryeuese mundi poloninë 2-1, kurse Hungaria fitoi në fushën e Andorrës me rezultatin 1-4. Për anglezët shënuan kapiteni Herri Kejn me penallti dhe mbrojtësi Meguajër, ndërsa për Poloninë barazoi përkohësisht Moder.

Renditja
1.Anglia 9 pikë
2.Hungaria 7
3.Shqipëria 6
4.Polonia 4
5.Andorra 0
6.San Marino 6


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë