Minuta e fundit është fatale për Shqipërinë, që e kishte barazimin në dorë, por një gafë e portierit Tomas Strakosha ka ndihmuar Turqinë të fitojë një ndeshje, ku nuk bëri asgjë më shumë se kuqezinjtë. Përkundrazi, ai që kishte të paktën dy herë në këmbë topin e golit të avantazhit ishte sulmuesi Rei Manaj. Një fitore e pamerituar e turqve dhe një humbje e pamerituar e skuadrës së trajnerit Reja. Në total, Shqipëria ka bërë një ndeshje të mirë dhe minimalisht duhej të kishte marrë një pikë. Tashmë ëndrra e kualifikimit në Europian është shuar, por të paktën ekipi po konsolidohet. Skuadra ka luftuar fort dhe ka rezistuar, ka krijuar raste, por pa i shfrytëzuar.
Trajneri Edi Reja e nisi ndeshjen me atë formacion që ishte parashikuar, me Frederik Veselin në vend të Hysajt të dëmtuar, pjesa tjetër ishte ajo që fitoi ndaj Islandës. Fillimi ishte shumë i vështirë për kuqezinjtë, të cilët u ndëshkuan me kartonë të verdhë nga gjyqtari rumun Hategan dhe kjo ndikoi në “frenimin e lojës së Dermakut, Bares dhe Memushajt. Roshi, Abrashi dhe Balaj hynë në fushë si zëvendësues dhe e ndihmuan jo pak skuadrën. Roshi dha një pasim ideal për Manajn, i cili nuk u besoi syve kur e pa topin të shkonte jashtë kuadratit.

Shqipëria mbetet në të njëjtat pozita pas kësaj humbje, në vend të 4-t, me 9 pikë. Islanda ka humbur me Francën dhe mban vendin e tretë. Ky është ngushëllimi i vetëm për kuqezinjtë, të cilët mbeten në garë për vendin e tretë në Grupin H. Për dy vendet e para nuk ka më shanse tashmë, pasi ato janë të Turqisë dhe Francës.
Turqi-Shqipëri 1-0
Shënues: Tosun 90’
Turqia: Gynok, Ajhan, Çelik, Demiral, Meras, Tufan, Tekdemir, Emre, Çalhanollu, Jillmaza, Tosun. Trajner: S.Gynesh.
Shqipëria: Strakosha, Veseli, Dermaku, Gjimshiti, Ismajli, Lenjani (Roshi 53’), Bare, Gjasula, Memushaj (Abrashi 72’), Manaj, Cikalleshi (Balaj 83’). Trajner: E.Reja
Kartonë të verdhë: Demiral, Ajhan, Dermaku, Bare, Memushaj
Gjyqtar: Hategan (Rumani)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.