Kombetarja

Manaj dhe Muçi: Të tregojmë se e kemi merituar Europianin, tifozët do na mbështesin

Gazeta Si – ‘Turqit’ Rei Manaj dhe Ernest Muçi ishin dy lojtarët e parë të Kombëtares që dolën në konferencë shtypi, ku floën për miqësoret me Kilin dhe Suedinë. Janë dy nga lojtarët më në formë në radhët e kuqezinjve.

Manaj, i rikthyer në Kombëtare pas mungesës në eliminatoret e fundit, u shpreh: “Është emocion të kthehesh pas një viti e gjysmë. Ekipin e gjej shumë mirë, gje e madhe të jesh në Europian, të gjithë e presin me shumë emocion. Kam pasur komunikim me trajnerin, të gjithë lojtarët duhet ta tregojnë veten në këto miqëosre dhe në stërvitje, pastaj për listën vendos trajneri.

Kam kaluar një periudhë të vështirë, pata të njëjtin lëndim. Mendoj se jam gati për Europianin, por zgjedhjet i bën trajneri. Jam i kënaqur, më parë nuk isha gati, nuk kisha ritmin e ndeshjeve. Kur vjen pas një dëmtimi të rëndë, duhet të jesh shumë i fokusuar për të marrë formën. Duhet të jesh i fortë në mentalitet, besoja se ftesa do të vinte, pasi kam bërë mirë në Kombëtare.

Besoj se stadiumi do të mbushet në Parma, kam parë që ka shumë kërkesa. Ekipi pa tifozë nuk është asgjë dhe duhet të japim 100%”.

Ernest Muçi foli për aventurën turke dhe ndeshjet testuese të Kombëtares: “Turqia është një vend që më përshtatet, është një ambient që më bën të ndjehem mirë. Në Kombëtare kemi pasur një atmosferë fantastike në kualifikuese. Jemi një ekip shumë i mirë.

Tani dua të bëj mirë me ekipin tim dhe me Kombëtaren. Është koha të tregojmë veten që e meritojmë të shkojmë në Europian. Duhet të punoj më shumë, por ndihem mirë fizikisht. Këto tre muaj janë vendimtarë për lojtarët që janë pjesë e Kombëtares, duhet të kemi një motivim ekstra.

Për ne janë shumë të rëndësishme këto dy miqësore për të qenë gati për Europianin. Synoj më të mirën në karrierën time, kalova nga Polonia në Turqi, nuk u mendova dy herë për kalimin te Beshiktashi. Stadiumet kanë qenë plot edhe në ndeshjet jashtë të kualifikueseve, besoj do të jetë kështu edhe në miqësore. Ne duhet t’u tregojmë se kemi një ekip të denjë për në Europian”, - tha Muçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë