Futboll

“Malore e fortë” për Partizanin, kundër kampionëve të Azerbajxhanit në Champions

Nuk ishte një short me fat për Partizanin. Të kuqtë do të ndeshen me Karabagun, ekipin kampion të Azerbajxhanit, që prej vitesh dominon futbollin në këtë vend. Një kundërshtar shumë i fortë, me një buxhet shumëfish më të lartë se kampionët e rinj të Shqipërisë. Partizani bënte pjesë në short në Grupin 2, por në vazon e jo favoritëve. Përveç Karabagut, në vazon e favoritëve ishin edhe ekipe si Selltik (Skoci), Sherif Tiraspol (Moldavi), F91 Dudelanzh (Luksemburg) dhe Sllovan Bratislavë (Sllovaki).

Kujtojmë që deri sezonin e kaluar me kampionët e Azerbajxhanit ka luajtur edhe ish-kapiteni i Kombëtares, Ansi Agolli, i cili tani është transferuar në Amerikë. Me Karabagun është aktivizuar më parë edhe mbrojtësi shkodran, Admir Teli. Të dy këta lojtarë do të ndihmojnë Partizanin, duke i dhënë më shumë informacion për kundërshtarin në turin e parë eliminator në Ligën e Kampionëve. Karabagu ka bërë histori vitet e fundit, duke shkruar deri në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve. Përveç forcës së kundërshtarit, Partizanit i duhet të përballojë edhe udhëtimin e gjatë deri në Azerbajxhan. Një sfidë shumë e vështirë për kampionët e Shqipërisë, por jo e pamundur për t’u kaluar. Ndeshja e parë luhet në Shqipëri, më 9 ose 10 korrik.

Postimi i klubit të kuq, pas hedhejs së shortit

Partizani u shpall kampion pas 26 vitesh do të përfaqësojë futbollin shqiptar në kompeticionin më të rëndësishëm në Europë për klube, në Ligën e Kampionëve. Të kuqtë kanë marrë një trajner italian pas largimit të Gegës, Franko Lerdën, ndërkohë që janë fuqizuar me Kordeiron dhe Hakajn. Përgatitjet për Ligën e Kampionëve ekipi i Partizanit do t’i zhvillojë në Slloveni.

Shkëndija e Tetovës, që gjithashtu merr pjesë në Ligën e kampionëve, ka pasur më shumë fat se Partizani. Tetovarët do të ndeshen me estonezët e Nome Kalju, një kundërshtar i lehtë në letër, që pritet të kalohet na Shkëndija.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë