Katar 2022

Mallkimi i renditjes së FIFA-s, vendi i parë nuk e fiton kurrë Botërorin!

Gazeta Si – Në gusht të 1993-shit FIFA vendosi të futë ‘ranking’, një klasifikim në bazë të rezultateve të çdo kombëtareje. Interesant është fakti se kush ka qenë në vend të parë deri tani në këtë klasifikim, nuk ka mundur ta fitojë asnjëherë Botërorin.

Kur u fut renditja, Gjermania dominonte futbollin botëror. Kampione në fuqi e botës, finaliste e Europianit të humbur ndaj Danimarkës dhe e 3 edicioneve të fundit të Botërorëve (1982, 1986 dhe 1990). U kalua nga Brazili pas Botërorit të 1994-ës, ku u eliminua në çerekfinale nga Bullgaria. Atë Botëror e fituan brazilianët, duke mundur Italinë në finale me penallti.

Zhgenjimi i Klinsman ne 1994, pas eliminimit te Gjermanise nga Bullgaria. Gazeta Si, 20 dhjetor 2022

Dominimi i Brazilit vazhdoi deri në Botërorin e 1998-ës, kur u mund në finale nga Franca. Më pas ‘gjelat’ fituan edhe Europianin e 2000-shit dhe u prezantuan në Botërorin e 2002-shit si kryesues të renditjes së FIFA-s. Por në Kore dhe Japoni u eliminuan që në turin e parë dhe ia lanë kreun Brazilit, që fitoi titullin e 5-të botëror.

Në 2006-ën amerikano-latinët u eliminuan në çerekfinale, titullin e fitoi Italia, që u alternua me Argjentinën në kreun e renditjes. Në 2008-ën Spanja fitoi Europianin dhe më pas edhe Botërorin e vetëm në 2010-ën, duke marrë kreun.

Spanja fitoi edhe Europianin e 2012-ës në periudhën e saj të artë, por ‘mallkimi’ i renditjes së FIFA-s goditi edhe Ksavin me shokë, që dolën shumë shpejt nga Botërori i Brazilit në 2014-ën. Fitoi Gjermania në finale ndaj Argjentinës dhe mori kreun, për ta lënë në 2018-ën, sepse në Rusi u eliminua që në turin e parë.

Franca, fituese e Botërorit rus, është alternuar me Belgjikën për gati 4 vjet. Tentoi të shpëtonte nga ‘mallkimi’, por nuk pati fat. Pak muaj para Botërorit ia la kreun Brazilit, që respektoi traditën, duke dalë nga Katar 2022 në çerekfinale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë