Kosova

Mali i Zi nuk pranon të dërgojë ushtarë në KFOR, Gjukanoviç kundër qeverisë

Pas raporteve nga Serbia se KFOR do të largohej së shpejti nga Kosova, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg i hodhi poshtë të martën në Bruksel, duke thënë se aleanca ishte e dedikuar ndaj stabilitetit të Kosovës.

 Duke folur krah me presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, ai tha se përfshirja e ushtrisë së Malit të Zi në misionin e KFOR-it në Kosovë, do të kontribuonte për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Këto komente erdhën pasi Qeveria e Malit të Zi është shprehur kundër dërgimit të një toge të këmbësorisë në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, duke thënë si arsyetim pandeminë.

“Do të mirëprisja kontributin nga Mali i Zi për KFOR-in sepse një gjë e tillë do të mbështeste punën e rëndësishme të KFOR-it dhe do të ndihmonte që të sigurohej paqja dhe stabiliteti në Kosovë dhe për rajonin. Mali i Zi do të ndihmonte në stabilitetin e rajonit dhe do të punonte me aleatët dhe partnerët e tjerë të NATO-s në misionin e KFOR-it”, tha Stoltenberg, gjatë një konference të përbashkët për media në Bruksel me presidentin malazez.

Gjukanoviç tha se nuk ekziston ndonjë arsye pse Mali i Zi të mos marrë pjesë në misionin e KFOR-it. Ai faësoi qeverinë e Malit Zi dhe se kjo ka të bëjë me “hamendje të natyrës politike”.

“Dyshimet përpiqen t'i forcojnë ata që janë kundër pavarësisë së Kosovës, të cilët ende mendojnë se ky ka qenë një gabim dhe të cilët përpiqen të kthejnë rrotën e historisë”, tha Gjukanoviç, duke rikujtuar se qëndrimi i qeverisë së mëparshme ishte se duhet të rritet prania ushtarake në Kosovë. Gjukanoviç tha se është edhe obligim i Malit të Zi, si shtet nga rajoni, që edhe më shumë se shtetet tjera të japë kontributin e tij si anëtar i NATO-s, për stabilitetin e rajonit.

Reagimet erdhën pasi Ministria e Mbrojtjes e Malit të Zi konfirmoi se ushtria e vendit fqinj, nuk do të dërgojë një togë këmbësorie në misionin e KFOR-it në Kosovë këtë vit.

“Për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi dhe për shkak të kufizimeve buxhetore, ushtria e Malit të Zi nuk planifikon më 2021 të kryejë aktivitete dhe ushtrime të përbashkëta, trajnime ose angazhim të togjeve të këmbësorisë në misionin e KFOR-it në Kosovë”, thanë nga Ministria e Mbrojtjes e Malit të Zi kur u pyetën për arsyen se pse kanë hequr dorë nga dërgimi i trupave në misionin e KFOR-it.

Vendimit për mos dërgimin e trupave në Kosovë i parapriu një paralajmërim i hapur ndaj ministres së Mbrojtjes, Olivera Injaç dhe kryeministri Zdravko Krivokapiç, që vijnë nga partia në pushtet, Fronti Demokratik (FD), një parti pro-ruse, se do të mbahen përgjegjës nëse dërgojnë ushtrinë në Kosovë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë