Futboll

Makthi i Juventusit vazhdon në Champions, Alegri në telashe

Gazeta Si – ‘Do ta sulmojmë Juventusin’ – tha para ndeshjes trajneri i Benfikës, Shmidt. Dhe ashtu bëri, skuadra e tij fitoi 1-2 në Torino me përmbysje, duke shtuar shanset e kualifikimiet dhe duke shtuar edhe makthet për skuadrën e Alegrit. Pas kampionatit, kriza bardhezi është spostuar në Champions.

Benfika feston golin e Neres. Gazeta Si, 14 shtator 2022

Milik e kaloi Juventusin në avantazh pas 4 minutash, por bardhezinjtë nuk ditën ta administronin rezultatin. Zhoao Mario barazoi me penallti dhe në pjesën e dytë Neres realizoi golin e fitores për Benfikën.

Një Juventus shumë i brishtë mendërisht dhe fizikisht. Rëndojnë dëmtimet, por jo për të justifikuar rezultatet e fundit. Me 0 pikë në 2 ndeshjet e para në grup, trajneri Alegri është vërtet në telashe. Në ndeshjen tjetër të grupit, PSG fitoi 1-3 në fushën e Makabi Haifa.

As trajneri i ri, Graham Poter, nuk mundi ta gjejë ‘ilaçin’ për Çelsin. Londinezët nuk shkuan më shumë se barazimi 1-1 në shtëpi ndaj Salcburgut. Sterling kaloi ekipin vendës në avantazh, por Okafor barazoi, duke përfituar nga gabimet në mbrojtje të Çelsit.

Me një pikë në dy ndeshje, kualifikimi i londinezëve është bërë një malore shumë e fortë tashmë. Armando Broja u fut në fushë në minutën e 66-të dhe dha disa shkëndija, por nuk mundi ta gjente rrugën e rrjetës. Në shtesë humbi një rast ideal për golin e fitores, duke gjuajtur mbi tra.

Real Madrid ndërkohë vazhdon serinë e fitoreve. Valverde dhe Asensio shënuan dy golat e fitores ndaj Lajpcigut. Mançester Siti ka bërë detyrën ndaj Borusia Dortmund, ku nuk mungoi goli i ish-it, Erling Haland, në fitoren 2-1.

Champions, faza në grupe
Rezultatet e ndeshjeve të sotme
Milan-D.Zagreb 3-1
Shakhtar Donetsk-Selltik 1-1
Çelsi-Salcburg 1-1
Kopenhagen-Sevilja 0-0
Juventus-Benfika 1-2
Makabi Haifa-PSG 1-3
Mançester Siti-B.Dortmund 2-1
Glalsgou Rejnxhërs-Napoli 0-3
Real Madrid-Lajpcig 2-0


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë