Katar 2022

Makron thërret në Katar të munguarit e mëdhenj, Benzema bëhet çështje

Gazeta Si - Presidenti francez ka ftuar në Katar të dëmtuarit. Lukas Hernandez nuk është lejuar nga Bajerni, Kanté do të jetë. Benzema edhe mund të luante, por nuk do të ndodhë. Deshamps nuk ka dashur të komentojë.

Për rastin e Benzema po punon Emanuel Makron. Kështu ka thënë ministrja e Sport në Francë, Amelie Oudea-Castera. Dhe fakt është se presidenti është interesuar për çështjen, çka tregon sa delikate është ajo, duke e trazuar pak situatën 48 orë para finales me Argjentinën.

Karim Benzema ne stervitje me Francen. Gazeta Si, 17 dhjetor 2022

Benzema dëmtoi kofshën e majtë një ditë para nisjes së Botërorit dhe u kthye në Madrid, ku ka nisur stërvitjen. Deshamp nuk e zëvendësoi dhe ai është ende në listën e 26 lojtarëve që FIFA publikon para çdo ndeshjeje. E ka kaluar dëmtimin dhe madje luajti në miqësoren e Realit ndaj Leganes.

Asgjë nuk e pengon Francën ta thërrasë në Doha dhe ta ketë në stol, por kjo nuk do të ndodhë. Trajneri Deshamp e shmangu përgjigjen në lidhje me thirrjen e mundshme të Benzema. “Preferoj të mos përgjigjem, kalojmë te pyetja tjetër ju lutem”, - tha ai në konferencë shtypi, duke lënë të kuptohet se nuk e ka në plane.

A do të jetë Benzema në Katar për finalen, qoftë edhe si tifoz special? Këtu ka ndërhyrë Makron. Ai ka kërkuar që në avionin shtetëror të hipin të gjithë lojtarët që për shkak dëmtimesh nuk mundën të marrin pjesë në Kupën e Botës: Kanté, Pogba, Benzema.

Reali e ka lënë të lirë Benzema, vendimi i takon atij. Edhe pse është në fazë rikuperimi, Pol Pogbasë i është dhënë ‘ok’-i nga Juventusi për të shkuar në Katar. Makron do edhe Lukas Hernandez, që ka operuar gjurin e djathtë, por Bajerni ka thënë ‘Jo’ për shkak të udhëtimit të gjatë.

Presidenti Makron duke mbeshtetur Francen nga tribuna. Gazeta Si, 17 dhjetor 2022

Po Benzema? Deri tani ‘Topi i Artë’ ka heshtur. Në Madrid thonë se është ndjerë keq nga ftohtësia e Deshamp. Në Paris flitet edhe për pakënaqësi në dhomat e zhveshjes, nëse Benzema kthehet për finale. Thuhet se Deshamp është zhgënjyer nga fakti që në ceremoninë e ‘Topit të Artë’ sulmuesi nuk tha asnjë fjalë falënderuese ndaj tij.

Nuk është ende e qartë, nëse ishte Benzema që vendosi të linte Katarin, apo Deshamp e shtyu atë të kthehej në Europë për t’u kuruar. Mes të thënash e të pathënash situata arriti deri këtu, me Makron ndërmjetësues special.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë