Politike

Majko shpërndan kërkesën e Diasporës: Na jepni të drejtën e votës

Ambasadorët kryesorë në vend dhe anëtarët e Këshillit Politik të reformës zgjedhore prej dy ditësh marrin e japin në orë të tejzgjatura negociatash se si të gjendet konsensusi për pikat që ndajnë dy partitë e mëdha.

Palët janë mbledhur sërish të mërkurën duke u fokusuar tek ngërcci i mbetur; depolitizimi i administratës zgjedhore. Paralelisht me këtë takim, ministri i Diasporës, Pandeli Majko, shpërndan një njoftim që ka lidhje me zgjedhjet por jo me debatin PS-PD.

Majko shpërndan deklaratën e Këshillit Koordinues të Diasporës ku theksohet rëndësia e të drejtës së votës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendi.

“Kjo e drejtë për të na mundësuar votimin në shtetet ku jetojmë për zgjedhjet e ardhshme te 2021, ka qenë pjesë e diskutimeve aktive me përfaqësues të niveleve të ndryshme te shtetit Shqiptar, nga ku ka pasur dhe propozime konkrete përmes rrjeteve të specialistëve në diasporë për mënyrën e votimit dhe propozimet për ndryshime në Kodin Zgjedhor janë depozituar në Komisionin e Reformes Zgjedhore nga Komisioni i Diasporës dhe Migracionit, të gjithë këto hapa drejt arritjes së qëllimit tonë të përbashkët”, thuhet në njotimin e Këshillit të Diasporës. Ky këshill njofton se është përfshirë në mënyrë aktive duke kontaktuar aktorë kryesore në negociatat për zgjedhjet me qëllim përfshirjen e kësaj të drejte.

Këshilli i Diasporës kërkon që tu mundësohet të gjithë shtetasve shqiptarë që banojnë jashtë territorit të Shqipërisë e drejta e votës nga vendbanimet e tyre para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare si dhe ndryshimi i sistemit zgjedhor në proporcional me lista të hapura.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë