Ana e errët

Mafia shqiptare merr peng klanet mafioze italiane (raporti i plotë)

Në raportin gjashtëmujor janar-qershor 2019 të Antimafias italiane vihet theksi tek përshtatja e mafias shqiptare në metoda dhe mënyrë funksionimi sipas “Cosa Nostras”, mafia e famshme italiane me të cilën DIA (Direzione Investigativa Antimafia) thekson se kanë bashkëpunuar fillimisht kriminelët shqiptarë në Itali.

Si shembull për këtë, raporti sjellë një operacion të koduar “Hostage” dhe të ndërmarrë në qershor të 2019-s. Por çfarë ndodhi në këtë operacion? Cili ishte roli i shqiptarëve dhe cilat ishin metodat e huazuara prej tyre nga Cosa Nostra?

Në shënjestër të antimafias italiane ishin dy klane mafioze siçiliane, përkatësisht klani i njohur si “Mazzei” dhe klani “Santapaula-Ercolano”. Dy ishin në përgjim të vazhdueshëm nga antimafia italiane dhe brenda pak viteve pasuritë e tyre ishin goditur fort përmes sekuestrimit, që përfshinte hotele, lokale dhe prona të tjera të paluajtshme që kishin si burim paratë e drogës.

Të vënë në vështirësi financiare nga këto goditje, dy klanet siçiliane u vunë në kontakt me krimin e organizuar shqiptar për ta furnizuar me hashash nga Shqipëria. Hetimet kanë rënë në gjurmët e këtyre kontakteve që në 2016, por besohet fort se bashkëpunimi mes këtyre dy klaneve me grupet kriminale shqiptare, kryesisht në qytetin e Vlorës është më i hershëm.

Ajo që vënë re hetuesit e antimafias italiane është se përballë vështirësive financiare për shkak të sekuestrimit të pronave dhe të disa dërgesave të destinuara për këto dy klane, drejtuesit e tyre kishin vënë si garanci kokat e dy anëtarëve kryesorë, që niseshin drejt Shqipërisë me vullnet të plotë si pengje në duart e mafias shqiptare, deri kur mafia siçiliane të shiste hashashin e marrë dhe të shlyente detyrimet karshi shqiptarëve.

Nga përgjimet e kryera nga 2016 deri në 2018, autoritetet italiane thonë se kjo skemë është zbatuar në të paktën 3 raste. Ku grupet mafioze italiane linin si garanci dy persona në Shqipëri kundrejt furnizimit me hashash. Për shkak të rriskut “All-in”, në të gjitha rastet nuk bëhej fjalë për hashash në sasite e kilogramëve, por për dërgesa me disa tonë.

Autoritetet italiane nuk publikojnë në asnjë rast identitetin e personave të lënë peng dhe as atë të pengmarrësve të tyre, por thonë se në disa raste pengjet kanë qëndruar për muaj me radhë në Shqipëri, shpesh edhe përmes lejeve të qëndrimit të falsifikuara, apo duke hyrë si klandestinë.

Gjatë operacionit “Hostage” u arrestuan 12 persona, që të gjithë shtetas italianë pjesë e klanit Mazzei dhe të Santapaola-Ercolano. Ndaj tyre rënduan akuzat e pjesëmarrjes në një organizata të strukturuar kriminale në fushën e trafikut të lëndëve narkotike.

Të arrestuarit ishin Orazio Coppola, 55 vjeç, kreu i klanit mafioz “Mazzei” dhe i konsideruar si truri i aktiviteti kriminal të këtij klani. Emri tjetër është Carmelo Distefano, 35 vjeç, edhe ky i konsideruar si një nga drejtuesit kryesorë të klanit Santapaola. Nga hetimet u zbulua që në vështirësi financiare këta dy shtetas kanë propozuar “penglënien” në duart e grupeve kriminale shqiptare, por është e paqartë nëse ata vetë kanë qenë ndonjëherë pengje në marrëveshje të tilla.

Më Shumë