Politike

Lulzim Basha, kryetari i ri i PD (për herë të katërt) dhe ndarja më e madhe e Grupit Parlamentar (emrat)

Në orën 08.00 të mëngjesit, ajo që quhet Partia Demokratike zyrtare (apo ajo që mban vulën me gjykatë)  ka nisur votimet për të zgjedhur Kryetarin e ri (të vjetër) të saj.

Në degët e PD në rrethe, apo aty ku nuk kanë seli, po votohet nëpër lokale, në një pjesëmarrje jo fort entuziaste për të rikthyer Lulzim Bashën, që ‘de facto’ nuk iku asnjëherë nga drejtimi i PD-së.

Në këtë votim përmes parimit një anëtar një votë u konfirmua rrudhja e madhe e anëtarësisë së PD-së.

Nga 75 mijë anëtarë që kishte 2 vite më parë, kur Lulzim Basha zgjidhej me bekimin e Sali Berishës për herë të tretë në krye të partisë, sot kjo forcë politike ka 25 mijë anëtarë. 50 mijë anëtarë më pak për të cilët Jemin Gjana kur foli për zgjedhjet në parti nuk i dha një përgjigje se ku kishin shkuar.

Sa kohë nuk ka lista publike të anëtarëve, si Bardhu ashtu edhe Berisha kanë mohuar të jenë edhe aq.

Pavarësisht gjithë debatit fabula e të shtunës dihet. Do të trumbetohet për pjesëmarrje masive në votime, Basha do të bëjë thirrje për ringritje të PD-së, dhe një mesazh do ta mbajë edhe kandidati përballë tij Gjergji Hani. Piskamat ky i fundit do i lëshojë më vonë.

Do të ketë thirrje për demokratizim partie dhe ecje përpara edhe nga ai grup deputetësh (8 bashkë me Bashën).  

Në fund të ditës kur të respektohen afatet, do të kemi pa surpriza, rikthimin për herë të katërt në krye të PD-së, të Lulzim Bashës.

Dita e sotme zyrtarizon ndarjen e dytë, (më e vogël se e para) në PD dhe e rrudh atë edhe më shumë.

Ndarja e parë erdhi pas përjashtimit të Sali Berishës në shtatorin e 2 viteve më parë, i cili krijoi Foltoren e më pas PD-në e tij (Rithemelimin që nuk e regjistrua si parti).

Ai ka gati 16 deputetë me vete. Rimori selinë e PD-së së (ish SHQUP-in) pas dhunës në oborrin e godinës në janarin e 2022-it ku shumë nga kundërshtarët e rinj të Bashës sot, ishin atëherë përballë njerëzve të Berishës.

E mundi PD-në e Bashës në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit 2022, po ashtu edhe në zgjedhjet lokale të 14 majit të këtij viti.

Garoi në koalicion me Ilir Metën pasi vula dhe sigla janë në tavolinën e Bashës.

Pas ndarjes së partisë, sot shënohet ndarja e madhe edhe e grupit parlamentar të PD-së.

Gazmend Bardhi, njeriu më besnik i Lulzim Bashës deri para do javësh është kundërshtari më i fortë i tij brenda strukturave zyrtare të partisë.

Bardhi që tentoi 2 ditë më parë të shfuqizonte zgjedhjet e sotme në PD, e mbështesin edhe deputetë dikur besnikë të Bashës  si Dhurata Çupi, Lefter Gështenja, Dashnor Sula, Bledjon Nallbati, Saimir Korreshi etj.

Kundër Bashës janë edhe Jorida Tabaku, Agron Gjekmarkaj, Ferdinand Xhaferraj, Flamur Hoxha e deri te Orjola Nebijaj.

Lulzim Bashës i ka mbetur nga ish kupola e tij drejtuese e PD-së (para përjashtimit të Sali Berishës) vetëm Enkelejd Alibeaj, që vijoi lojën e dorëheqjes së tij për një vit si Kryetar i komanduar dhe kryetar grupi, deri pas rezultatit katastrofik të 14 majit, ku PD-ja zyrtarisht si forcë politike nuk fitoi asnjë bashki.

Përveç Alibeajt, Basha ka edhe 6 deputetë të tjerë besnikë deri më sot, mes tyre Flutura Açka, Arbi Agalliu, Orjola Pampuri dhe Kreshnik Çollaku që janë njëherazi edhe anëtarë të kryesisë së PD-së edhe të kooptuar nëpër sekretariate së fundmi për të justifikuar të gjitha vendimet zyrtare të partisë.

Më llogaritë e tashme, Basha shkon në sesionin e ri parlamentar me 8 deputetë, pjesa e Berishës dhe ajo e Bardhit (aktualisht kryetar grupi) bashkuar edhe ata qe jane te lekundur do të jenë shumicë, deri në 49 apo 50 deputetë. Këtë e konfirmoi pak ditë më parë deputeti i përjashtuar nga Basha, Luan Baçi.

Sipas tij dy grupimet funksionojnë bashkë e nuk do të ketë nevojë për negociata gjatë verës.

Se si do të regjistrohen në nisje të sesionit të ri parlamentar dhe sa do të ndryshojë lëvizja e deputetëve këtë muaj të fundit vere kjo mbetet për tu parë.

Ajo që dihet me siguri është se Basha rimerr ‘de-jure’ partinë në një situatë katastrofike për PD.

Në zgjedhjet e 2021 lista e anëtarësisë 75.OOO

Sot 25.000 anëtarë

Deputetë të grupit “Berisha”

Sali Berisha

Tritan Shehu

Luan Baçi

Edi Paloka

Lindita Metaliaj

Kasëm Mahmutaj

Sorina Kote

Asllan Dogjani

Tomorr Alizoti

Albana Vokshi

Greta Bardeli

Edmond Spaho

Kastriot Piroli

Bujar Leskaj

Ina Zhupa

Sorina Koti

Ervin Salianji ?

Deputetë të grupit ‘Bardhi”

Gazment Bardhi

Dhurata Cupi

Saimir Korreshi

Lefter Geshtenja

Dashnor Sula

Jorida Tabaku

Qani Xhafa

Bledion Nallbati

Ferdinad Xhaferraj

Zheni Gjergji

Andia Ulliri

Agron Gjekmarkaj

Xhelal Mziu

Deputetë të grupit “Basha”

Lulzim Basha

Arbi Agalliu

Merita Bakiu

Enkelejd Alibeaj

Flutura Acka   

Oriola Pampuri

Kreshnik Collaku

Selaudin Jakupllari

Eralda Bano


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë