Treg

Lulja shqiptare e Krishtlindjeve ka mbaruar

Tek shëtisja nëpër dyqanet e luleve për të vëzhguar rreth shitjes së luleve të Krishtlindjes, mu soll ndërmend një leksion në librin e anglishtes të metodës Essential.
Lulja quhej Mistletoe dhe çifti i personazheve të librit të anglishtes; Frida & Pedro putheshin në ditën e Krishtlindjes nën këtë lulet e kësaj peme për t’ju ndjellë fat dashurisë së tyre.

Por, kultura shqiptare e ka përqafuar vonë lulen e Krishtlindjes dhe në tregun tonë është masivizuar 10 vitet e fundit.

Ajo që ne njohim në tregun tonë është Poinsettia që gjendet gjerësisht në ngjyrën e kuqe.
Poinsettia shqiptare prodhohet në Berat dhe sipas shumë sipërmarrësve që merren me lulishtari, prodhimi shqiptar është më cilësor dhe më i kërkuar.

Fowers Family

Linda Kërpi, mësuese e gjuhës gjermane, e cila ka ndjekur disa kurse modeste lulishtarie në Vjenë, prej disa muajsh ka hapur një dyqan lulesh (“Family Flowers”) në zonën rreth Qendrës Tregtare “Kristal”. Ajo është e kënaqur këtë periudhë fillimi të biznesit të saj, sepse lulja e Krishtlindjes kërkohet shumë, e përpos saj edhe kompozimet me tematikë festat e fundvitit ku bëjnë pjesë trëndafilat e kuq, qirinjtë, etj. Linda furnizohet çdo tre ditë me lulen e Krishtlindjes dhe më tregon që prej së shtunës në treg nuk gjendet më Poinsettia shqiptare sepse ka mbaruar.


Linda Kërpi

“Poinsettia ose Yllin e Krishtlindjes, ne e nxjerrim në dyqan që në fund të nëntorit sepse ka njerëz që duan ta fusin në shtëpi që në 1 dhjetor. Ka të tjerë që e duan ta fusin në 6 dhjetor. Kurse 7 ditëshi i fundit është vetëm për ata që këtë lule e blejnë për dhurata. Fluksi i blerjeve është nga 3-10 dhjetor”-më tregon Linda.
Në dyqanin e saj çmimi i Poinsettia nis nga 300 lekë që është përmasa më e vogël e cila kërkohet kryesisht për zyra. Çmimet vijojnë më tej në raport me madhësinë 800 lekë, 1200 lekë, 2000 lekë. Por Linda më tregon se në treg ka edhe të madhësive të tjera, çmimi i të cilave shkon deri në 7000 lekë.

Klientët e Lindës kanë preferuar më shumë Poinsettia me çmimet 800 dhe 1200 lekë.
Deri më tani Linda ka shitur 130 Poinsettia të madhësive të ndryshme dhe ka bërë xhiro afërsisht 200’000 lekë që nga fundi i muajit nëntor.
“Një zonjë ka blerë për dadon, fqinjën, nuk la njeri pa i bërë dhuratë një Yll Krishtlindjeje. Më ka ardhur çdo ditë në dyqan. Ka marrë nga lulet 800 lekëshe.”- më tregon Linda.

Klientët e Lules së Krishtlindjes janë ekzigjentë, nuk mjaftohen thjesht të ndjekin traditën e vonë shqiptare; ata kërkojnë që pjesë e paketimit të lules të jetë kalliri i grurit dhe nusepashka që nënkuptojnë begati dhe fat.

“Përpos Lules së Krishtlindjes, ne kemi bërë kompozime të ndryshme me tematikën e festave të dhjetorit. Trëndafili i kuq kërkohet shumë për të dekoruar tavolinat. Vazo qelqi me trëndafila për mestavolinë që kushtojnë sipas numrit të trëndafilave 1500 -1700 lekë. Edhe kompozimet me qirinj.”- thotë Linda.

Keti Mersini e cila me “Flormarket” është prej 22 vitesh në treg, më thotë që muaji dhjetor është periudha më e lulëzuar e vitit për biznesin e luleve, për shkak të Lules së Krishtlindjes dhe dekorimeve me lule me tematikë festat e dhjetorit.

Flormarket

“Dhjetori është një nga muajt më fitimprurës për shkak të luleve të Krishtlindjes (Poinsettia ose Ylli i Krishtlindjes) dhe gjithashtu të kompozimeve festive me lule të freskëta, të cilat mund të vendosen në tavolinën e drekës së Krishlindjes, po pranë pemës ose dhe për të zbukuruar shtëpinë. Lulet e Krishtlindjes vijnë nga importi, pra Hollanda dhe Italia më së shumti. Lulja e Krishtlindjes që ne kemi në dyqan varion nga 300 lekë deri në 5000 lekë. Këto lule i blejnë të gjithë, si për dhurata edhe për të zbukuruar shtëpinë. Janë shumë popullore për shkak edhe të ngjyrës së kuqe dhe bukurisë së gjetheve. Poinsettia ka edhe disa ngjyra të tjera si rozë pastel dhe të bardhë dhe mua më pëlqen më shumë e bardha.”- më thotë Keti e cila më shpjegon se gjatë muajit dhjetor për shkak të luleve të Krishlindjes, xhiroja pëson një rritje të konsiderueshme, gati 3 herë më shumë se normalja. “Kjo ndodh edhe sepse klientët blejnë lule dhe ua dhurojnë të afërmve të tyre. Shitjet e luleve të Krishtlindjes fillojnë në fillim të dhjetorit duke kulmuar në dt 24 dhjetor, dhe më pas fillon rënia e kërkesës për to.”- më sqaron ajo duke shtuar se këtë vit ka vënë re një rënië krahasuar me vitet e tjera.

Historia e Luleve të Krishtlindjes

Lidhja mes poinsettias dhe Krishtlindjes vjen prej legjendës Meksikane. Një vajzë e vogël me emrin Pepita, e cila nuk kishte çfarë dhurate ti shpinte bebit Jezus në Kishë për festën e Krishtlindjes, mori disa barëra në rrugë. Ai i vendosi ato barëra në altarin e Kishës në prag të Krishtlindjes. Ata vunë re të ndodhte një mrekulli; barërat e sjella nga djali i vogël në Kishë nisën të lëshonin gjethe jeshile dhe një lule të kuqe.
Poinsettias e kanë origjinën nga Meksika dhe janë quajtur të tilla prej Paul Roberts Poinsett, i cili ishte ambasadori i parë i SHBA-ve në Meksikë më 1825. Dr. Poinsett ishte gjithashtu një fizikant përpos se diplomat.

Mistletoe

Foto ilustruese


Për shumë kultura përfshirë Greqinë e Lashtë dhe romakër, Mistletoe është simboli i fatit të mirë dhe përmirësimit. Por lidhja e kohërave moderne e kësaj lule me Krishtlindjen është prej besimit Druid Keltik dhe mistletoe përfaqëson gjallërinë dhe përmirësimin e fertilitetit sepse është aq e fortë sa lulëzon në mes të dimrit. Grekët e kanë përdorur mistletoe si kurë për gjithçka.
Tradita e puthjes nën mistletoe vjen prej shërbëtorëve në Angli, të cilët “lejoheshin” të vidhnin një puthje prej cilësdo gruaje që qëndronte nën mistletoe. Konsiderohej keqndjellëse nëse puthja refuzohej. Tradita e përhapur mes klasës së mesme ekziston ende edhe sot.

Holly


Holly dhe lule të tjera në ngjyrë jeshile janë përdorur për të festuar Solistikun dimëror. Sepse ishte e fortë mjaftueshëm (si mistletoe) për tu rritur gjatë stinës së ftohtë të dimrit. Mendohej të ishte aq e fortë , sa ndihmonte për të zmbrapsur shpirtrat e këqij dhe të festonte rritjen e re deri në ardhjen e pranverës. Kur Kristianizmi erdhi në Europë, veçanërisht në Britani dhe Gjermani,gjethet përfaqësonin kurorën mbi kokën e Jezisit. Frutat e kuqe, gjakun e tij.

Rreth 4m poinsettias shiten në Britani çdo vit – 90% e tyre të kuqe, megjithësë ekzistojnë edhe varietet pink dhe e bardhë. Këto të fundit janë të vështira për tu kujdesur dhe pas festave hidhen.
Duke pasur parasysh specifikat strikte të supermarketit dhe çmimet konkurruese, kultivuesit në Mbretërinë e Bashkuar kanë luftuar për të konkurruar me prodhimin masiv, veçanërisht në Holandë, ku bimët janë gjithashtu shumë të popullarizuara.
Çmimi i tyre me pakicë në tregjet ndërkombëtare varion prej 3$ deri në 50 dollarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë