Futboll

Lukaku merr numrin 9, por Inter tenton edhe një tjetër goditje të madhe

Interi i ri i Antonio Kontes tashmë ka filluar të marrë formë. Janë 5, blerjet në merkato të kërkuara nga Konte dhe që po formojnë ekipin zikaltër të sezonit të ri. Pa asnjë dyshim marrja e Lukakut, ishte më bujshmja për Interin, që beson tek belgu çelësat e sulmit. Ikardi është jashtë projektit edhe pse ende nuk është larguar, por tashmë ai nuk mund t’i marrë më kurrë pozitat që pati te klubi milanez.

Shenja e qartë është dhënë sot nga Inter. Marota dhe Auzilio i kanë besuar numrin 9 në fanellë pikërisht Romelu Lukakut. Ky numër për 6 vite ishte në shpinën e Ikardit, i cili edhe pse nuk është larguar nuk do mund të veshë më fanellën zikaltër me këtë numër. Pra në rrethin e 9 muajve, Ikardi jo vetëm që u zhgradua si kapiten, por ka humbur edhe fanellën me numrin 9. Argjentinasi këmbëngul për të qëndruar, por nga Interi ka marrë vazhdimisht përgjigjen e një dere të hapur.

Inter kërkon ta shesë sa më shpejt Ikardin edhe për një tjetër motiv në fakt. Ikja e Naingolan në mesfushë ka lënë një boshllëk. Drejtuesit zikaltër janë duke menduar për të bërë edhe në këtë repart një tjetër afrim të bujshëm. Bëhet fjalë për serbin Milinkoviç Saviç. Ky i fundit që nuk arriti të kalonte te Junajtid këtë verë, pasi anglezët nuk larguan Pogba nuk e ka të gjatë te Lacion. Presidenti Lotito kërkon ta largojë “xhevahirin” e tij, por sigurisht duke mbushur arkën mjaftueshëm.

Duhen plot 75-80 milionë euro për ta marrë në Milano Saviç. Dhe janë pikërisht këto para që shtyjnë Interin ta largojë sa më shpejt Ikardin, që mund të pasohet edhe nga Zhoao Mario e Perisiç. Të tre lojtarët nuk preferohen nga Konte dhe i ka nxjerrë në shitje dhe në këmbim do Xhekon në sulm dhe njërin mes Vidal ose Saviç për mesfushën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë