Atletike

Luiza Gega zë vend të 2-të në Trevizo, italianët i bëjnë jehonë kampiones shqiptare

Gazeta Si - Luiza Gega ka zënë vend të dytë sot në garën e 5 kilometrave rrugë të zhvilluar në Trevizo të Italisë. Një event tradicional dhe i rëndësishëm për atletikën ndërkombëtare, ku veç Gegës kanë marrë pjesë edhe shumë sportistë të tjerë me emër.

Vendin e parë e zuri italiania Ludovika Kavali, kampione e shumëfishtë në vendin fqinj për garat e mesme dhe të gjata. Shtypi sportiv italian i ka bërë jehonë faktit që ajo doli para Luiza Gegës, fituese e medaljes së artë në Europian (3000 metra me pengesa) dhe e kosnideruar favorite para garës.

Nga gara e sotme e Geges ne rruge. Gazeta Si, 1 maj 2023

Gega dhe Kavali janë alternuar në krye gjatë garës, ndërsa e para e kaloi finishin atletja italiane. Vendin e tretë e zuri hungarezja Viktoria Vagner-Gyurkes.

“Gega është një atlete e jashtëzakonshme, - tha Kavali pas garës, - e admiroj shumë. Kam bërë një garë të mirë dhe mbështetja e publikut ishte fantastike. Është një fitore e rëndësishme”. Kavali regjistroi kohën 15:35, kurse Gega kohën 15:37.

Për atleten shqiptare gjithsesi është një rezultat i mirë, aq më tepër po të kemi parasysh faktin që gara u zhvilluar në një mot me shi. Luiza Gega do të kthehet në pistë më datë 2 qershor, në ‘Diamond League’, në garën e saj të preferuar 3000 metra me pengesa.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë