Atletike

Luiza Gega vendos rekord kombëtar në 10 mijë metra

Një rekord i pazakontë për atleten Luiza Gega. Specialistja e 3 mijë metrave me pengesa, që shpesh ka përmirësuar kohën e saj, këtë herë ka shkëlqyer në 10 mijë metra në Europianin që po zhvillohet në Birmingham. Gega zuri vendin e 6-të në këtë aktivitet, ku regjistroi kohën 32 minuta, 16 sekonda dhe e 08 të qindtat, një rekord kombëtar ky për këtë garë. Rekordi i mëparshëm ishte 32.31.67.

Luiza Gega. Gazeta Si, 6 qershor 2021

“Rekord kombëtar në Kampionatin Europian të garës 10.000 metra, e cila u zhvillua në Birmingham, me kohën 32.16.08, dhe vendi i 6-të nga 55 vajza që garuam. Hera e parë që përfaqësoj Shqipërinë në një kampionat të tillë dhe jam shumë e lumtur që mes 55 vajzave arrita të pozicionohem e 6-ta.

Duhet ta theksoj që nuk jam stërvitur për një distancë kaq të gjatë, pasi fokusi im vazhdon të jetë në garën e 3000 metrave me pengesa, ku do të marr pjesë në Lojërat Olmpike të Tokios. Ishte një test i mirë fizik dhe psikologjik ky aktivitet”, - shkruan Gega në profiling e saj në Facebook.

Luiza Gega është një nga sportistet shqiptare që do të marrë pjesë në Olimpiadën e Tokios dhe prej saj pritet një rezultat i mirë në 3 mijë metra me pengesa.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë