Atletike

Luiza Gega, sportistja më e mirë e Kupës së Shqipërisë

Atletja Luiza Gega është shpallur sportistja më e mirë e Kupës së Shqipërisë në atletikë, që është zhvilluar në stadiumin “Elbasan Arena”, ku sportistët kanë garuar në 16 disiplina të ndryshme. Gega mori 1169 pikë olimpike dhe rezultati i saj është normë olimpike, siç pohon vetë sportistja, që në fakt është kualifikuar për në Olimpiadë.

“9.29“. Ky rezultat bëri që të shpallem sportistja më e mirë e Kupës së Shqipërisë, me 1169 pikë olimpike. Bashkë me trajnerin Taulant Stërmasi vendosëm të bëjmë një garë testuese përpara grumbullimit në Dardhë, jam shumë e kënaqur me rezultatin, pasi vrapova totalisht vetëm, rezultati është normë Olimpike dhe pse unë kam kohë që jam kualifikuar për në Tokio. Mezi pres të filloj garat muajin tjetër. Gara e parë që kam konfirmuar do të jetë “Doha Diamond League”, më 28 maj”, - shkruan Gega në faqen e saj në Facebook.

Izmir Smajlaj gjatë garës. Gazeta Si, 27 prill 2021

Në këtë aktivitet ka marrë pjesë edhe atleti tjetër elitar, Izmir Smajlaj. Këtë herë ai ka kërcyer 8.02 metra, duke merituar trofeun e kupës. Ekipet kampionë të Kupës së Shqipërisë u shpallën Vllaznia për meshkuj dhe Tirana për femra. Një rekord kombëtar U-18 ishte ai i korçares Elisa Myrtollari, e cila në 100 metra regjistroi kohën 12:40.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë