Atletike

Luiza Gega, rekord kombëtar dhe vend i parë në Maqedoni

E jashtëzakonshme Luiza Gega. Në maratonën e 16-të zhvilluar në Shkup, atletja shqiptare ka thyer edhe rekordin kombëtar me më shumë se 23 minuta. Maratona e Shkupit u mbajt në 4 tetor nën një protokoll të veçantë për mbrojtje nga COVID-19 dhe nën moton “Vrapimi do t’ju ndryshojë”. Fitues në garën kryesore, në maratonën prej 42 kilometrash në kategorinë e meshkujve është shpallur ukrainasi Serhi Shevçenko, ndërsa në kategorinë e femrave shqiptarja Luiza Gega.

Të lodhur, por të kënaqur që arritën në finish, sportistë të të gjitha moshave morën pjesë në çdonjërën prej katër garave në maratonën e 16-të në Shkup “Vizer”, prej të cilave më të vështira janë ato prej 21 dhe 42 kilometra. Në kushte të pandemisë munguan kampionët afrikanë dhe sportistët që vijnë nga vendet më të largëta, por garuesit vendas megjithatë ishin të kënaqur.

Organizimi i garës në kushte të pandemisë ka krijuar disa protokolle, si mbajtja e maskës para fillimit të garës dhe pas përfundimit të saj, por ka pasur pothuajse numër dhjetë herë më të vogël të pjesëmarrësve. Në qoftë se gjatë vitit të kaluar morën pjesë 12,500 pjesëmarrës, në maratonën e sivjetshme vrapuan rreth 1500. Në mesin e tyre edhe mysafirët tradicionalë dhe me përvojë nga Shqipëria fqinje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë