Skandali i rradhës duket se është zbuluar në sportin shqiptar dhe për ironi të fatit në Federatën e Mbretëreshës së Sporteve. Akoma më keq, ajo që nuk përkrahet dhe lihet jashtë është sportistja më e mirë e kësaj Federate, Luiza Gega. Ishte vetë sportistja e shumë medaljeve dhe titujve që që zbuloi gjithçka në profilin e saj në Instagram. Asambleja e Zakonshme do të duhej të ishte zhvilluar disa javë më parë, por ajo u shty për verifikimin e mandateve të pjesëmarrësve.

Kandidatët për President ishin Taulant Stërmasi (nga sot ish President) dhe atleti Izmir Smajlaj (nga sot President dhe anëtar i KE të KOKSH). Sipas asaj që zbuloi Gega – Taulant Stërmasi u tërhoq nga gara dhe komuniteti i Atletikës bëri gjithçka që as ajo (Luiza) të mos ishte pjesë e Asamblesë dhe të mos kandidonte. Luiza Gega ka postuar 3 video në Instagram dhe ky është teksti i plotë i saj:
Sot u mbajt Asambleja e Federatës Shqiptare të Atletikës, ku kandidati i vetëm për President ishte Izmir Smajlaj, pasi trajneri im u tërhoq. Ai nuk e ndjente më veten pjesë të gjithë pisllëqeve që po ndodhin, dhe këtë qëndrim e respektoj pa masë. Unë, pak kohë më parë, u përpoqa me të gjitha forcat që kjo situatë të mos shkonte drejt këtij drejtimi. E bëra sepse e dua atletikën me gjithë zemër. Ky sport është jeta ime — i kam dhënë gjithçka, çdo ditë, për shumë vite me radhë. Por mesa duket, sot, forca e të paaftëve dhe intrigave është më e madhe se zëri i atyre që punojnë ndershëm.
Gjithsesi, vendosa të kandidoj për anëtare të Kryesisë. Edhe pse pati përpjekje të hapura për të penguar klubet të më propozonin, një shoqatë vendosi të mos dorëzohej dhe më propozoi si kandidate. E dija mirë që nuk do të isha pjesë e Kryesisë — sepse ishte punuar fort që të mos ndodhte. Dhe për të qenë e sinqertë: nuk doja të isha pjesë e një drejtimi me njerëz që jo vetëm nuk e duan këtë sport, por për vite të tëra i kanë bërë dëm. Nuk kandidova për interesa personale. Doja të isha aty për të qenë zëri i një sporti që shpesh është përdorur për qëllime të gabuara.

Shpesh është thënë se unë “sulmoj” Izmirin — por sot është e qartë se ai dhe të ngjashmit me të nuk i duan afër njerëzit që kanë dhënë realisht për atletikën. Unë nuk mund ta mbështes dhe nuk do të bëhem kurrë pjesë e një komuniteti që i bën keq asaj që unë kam kontribuar me zemër, me përkushtim dhe me sakrificë për kaq shumë vite. Jam e sigurt që e ardhmja do të jetë ndryshe. E vërteta nuk fshihet përgjithmonë, dhe sporti ka nevojë për njerëz të pastër dhe të përkushtuar.
Me respekt,
Luiza Gega
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.