Futboll

Luhet sot finalja e “të mëdhenjve”, e gjitha bota me sytë në Madrid

Liverpul-Totenhem nuk është finalja e Kupës së Anglisë, por finalja e Ligës së Kampionëve. Luhet sot, në stadiumin “Wanda Metropolitano” të Madridit, në orën 21:00. E gjithë bota do të jetë me sytë te ky stadium, pasi aty luhet futbolli “i madh”, luhet finalja e kompeticionit më të rëndësishëm në rang klubesh. Anglia ka pushtuar botën vitet e fundit sai takon futbollit dhe, ashtu si finalja e Ligës së Europës, ku Çelsi triumfoi ndaj Arsenalit, edhe finalja e Ligës së Kampionëve do të ketë një kampion anglez.


Liverpuli luan finalen e dytë radhazi nën drejtimin e trajnerit gjerman Jurgen Klop, ndërsa Totenhemi ishte surpriza e këtij kompeticioni. Të dyja skuadrat e kanë merituar finalen: Liverpuli eliminoi Barcelonën në gjysmëfinale me atë përmbysje historike, 4-0, në “Anfield Road”, ndërsa Totenhemi eliminoi në gjysmëfinale Ajaksin, ekipin që kishte nxjerrë jashtë gare favoritë të mëdhenj si Real Madrid dhe Juventus. Skuadra e trajnerit Klop mund të jetë favorite në letër, por në një finale gjithçka mund të ndodhë, e sigurt është që sot në mbrëmje do të ketë spektakël.

Formacionet e mundshme të dy ekipeve për finalen e Madridit

Totenhmei ka rikuperuar kapitenin Herri Kejn, por trajneri Poketino u shpreh në konferencë shtypi se ishte në dyshim për aktivizimin e tij nga minuta e parë, pasi nuk është 100% gati. Trajneri argjentinas do të bazohet tek aftësitë krijuese të danezit Kristian Eriksen dhe shpejtësia e koreanit Son. “Heroi” i Amsterdamit, Lukas Moura, i cili shënoi 3 golat e kualifikimit ndaj Ajaksit, pritet ta nisë nga stoli. Në anën tjetër, Liverpuli ka më shumë përvojë se kundërshtari dhe shpresat e mëdha janë te treshja sulmuese Mane-Salah-Firmino. Jurgen Klop theksoi në konferencë shtypi se nuk e konsideron skuadrën favorite dhe se nuk e sheh veten si një trajner humbës, edhe pse në dy finale të luajtura deri tani në Ligën e Kampionëve, njërën në krye të Borusia Dortmund dhe tjetrën në krye të Liverpulit, nuk ia ka dalë.

Tifozët anglezë në Madrid

Tifozët anglezë kanë pushtuar Madridin dhe policia spanjolle ka marrë masa ekstreme për sigurinë. Risia është se do të ketë edhe një sistem antidron, me një qendër komandimi afër stadiumit, në mënyrë që të shmanget rreziqet që mund të vijnë nga jashtë. Të angazhuar për mbarëvajtjen e kësaj ndeshjeje do të jenë më shumë se 5000 agjentë sigurie. Është nga ato ndeshje, që e gjitha bota nuk dëshiron ta humbasë, madje dikush e vlerëson finalen e Ligës së Kampionëve edhe më të bukur se një finale botërori. Le të presim dhe të shijojmë spektaklin…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë