Futboll

Luftëtari zbret Teutën me “këmbë në tokë”, Shkëmbi kritikon ekipin

Disa ditë më parë Teuta festonte në fushën e saj pas fitores me një nga pretendentët për titull, Kukësin, por Luftëtari e ka zbritur me këmbë në tokë, duke e mundur në Gjirokastër, 1-0. Një gol nga Donald Rapo në pjesën e parë i ka dhënë skuadrës gjirokastrite një fitore shumë të çmuar në luftën e saj për mbijetesë në Superiore. Luftëtari ka një ecuri pozitive në javët e fundit dhe i ka të gjitha mundësitë të qëndrojë në elitë.

Teuta ka vërtetuar me këtë humbje se nuk e ka potencialin për të pretenduar titullin. Durrsakët hasën vështirësi në sulm për të shkuar te goli, madje humbën edhe një 11-metërsh me Gerhard Prognin. Por u ndje shumë edhe mungesa e Tefik Osmanit në mbrojtje. Trajneri Bledi Shkëmbi pranoi pas ndeshjes se të tijtë bënë shumë gabime, që për një skuadër me pretendime serioze janë të pafalshme. Në javët e fundit Teuta ka bërë shumë gabime, ku veçohen barazimi në fushën e saj me Kamzën, por edhe kjo humbje e fundit me Luftëtarin.

Teuta mban vendin e dytë në kampionat, por duhet të presë ndeshjen e Kukësit, që luan të dielën në "Elbasan Arena" me Kamzën. Një ndeshje e lehtë në letër për Kukësin, që pritet t'ia marrë sërish vendin e dytë skuadrës durrsake. Luftëtari po ecën mirë me ardhjen e Julian Ahmatajt në stol. Rezultatet dhe loja u japin besim gjirokastritëve se do të qëndrojnë në Superiore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë