Futboll

Luftëtari ndryshon trajner pa nisur gara, Duro kthehet në stol

Klodian Duro do të jetë një nga 10 trajnerët e Superiores së sezonit të ri. Ai do të drejtojë Luftëtarin këtë sezon, pas përvojave që ka pasur në stolat e Kukësit dhe të Kamzës. Ish-futbollisti i Kombëtares kishte shkuar në Gjirokastër si drejtor teknik i klubit, por nga sot është trajner i Luftëtarit, duke zëvendësuar elbasanasin tjetër, Klevis Dalipi.

Një ndryshim i papritur në Gjirokastër, një ditë para ndeshjes së parë të kampionatit me Tiranën në kryeqytet. Drejtuesit e Luftëtarit prezantuan ditë më parë Klevis Dalipin në rolin e trajnerit dhe Klodian Duron në rolin e drejtorit teknik, por marrëveshja me të parin është prishur tashmë. Dalipi ka lënë Gjirokastrën dhe vendin e tij e ka marrë Duro menjëherë. Një lëvizje e konfirmuar edhe nga drejtuesit e klubit jugor, të cilët kanë bërë me dije se mes palëve kishte mbetur për t’u diskutuar edhe një pikë e kontratës dhe se trajneri iku pa paralajmëruar nga Gjirokastra. Në fakt, është një ndryshim që lë edhe dyshime, pasi në vendin tonë është i njohur “skenari” i një drejtori teknik në “tribunë”, që shumë shpejt bëhet trajner. Duro është ai që ka bërë merkaton e Luftëtarit kohët e fundit, ndërsa tani merr edhe drejtimin e tij.

Klevis Dalipi dhe Artur Dadaj, kur prezantohej trajneri elbasanas te Luftëtari. Gazeta Si, 23 gusht 2019

Që trajnerët në futbollin shqiptar ndërrohen sipas qejfit është një fakt i ditur, por që të ndërrohen një apo dy ditë para nisjes së aktivitetit, është krejtësisht jashtë logjikës. Klevis Dalipi është “viktima” e parë e sezonit të ri. Luftëtari ka kaluar një situatë shumë të vështirë gjatë kësaj vere, madje rrezikoi edhe falimentimin. Ekipi është ndërtuar javët e fundit, duke ndryshuar thuajse të gjithë grupin e futbollistëve, sigurisht edhe stafin teknik, madje këtë të fundit dy herë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë