Futboll

Luftëtari i bëhet makth Partizanit, Tiranës i rishfaqen hijet e rënies

A do të kemi futboll korrekt apo futboll tavolinash? Ishte pyetja që Gazeta Si shtroi para ndeshjeve të javës së 27-të të Superiores, që prodhuan rezultate “surprizë”. Kukësi kryesonte 0-1 dhe në fund u mund 2-1 nga Kastrioti, Partizani kaloi në avantazh i pari dhe më pas pësoi 3 gola nga Luftëtari, Teuta u shpërfytyrua në Laç, duke pësuar plot 5 gola… Secili mund të gjykojë vetë. Ndeshja më reale e kësaj jave ishte ajo e Vlorës, ku Flamurtari fitoi 1-0 ndaj Tiranës. Situata për Tiranën komplikohet së tepërmi, pasi Kastrioti rival është afruar në 3 pikë diferencë dhe makthet e rënies nga kategoria janë kthyer tashmë në shtëpinë bardheblu.

Partizani kishte shansin të “vriste” kampionatin, pas humbjes së Kukësit në Fushë-Krujë, por ndoshta e mori lehtë ndeshjen me ekipin gjirokastrit, që në një kohë shumë të shkurtër e ka mundur 3 herë (dy here në kupë dhe tani në kampionat). Ose Luftëtari ia ka gjetur “pinin” ekipit të trajnerit Skënder Gega, ose të kuqtë i ka pushtuar euforia e titullit dhe ndoshta e kanë nisur festën para kohe. Duka shënoi për Partizanin pas 4 minutash lojë në “Selman Stërmasi” dhe u duk se fitorja e ishte në “xhep”, madje dikush nisi të aludonte edhe për një alencë mes dy ekipeve kupë-kampionat. Por kjo tezë ra poshtë, sepse sulmuesi Dunga i Luftëtarit e gjeti rrugën e rrjetës tri herë dhe i dha ekipit të tij një trepikësh shumë të rëndësishëm për objektivin e mbijetesës në Superiore. Për Partizanin ishte një humbje pa dhimbje, sepse diferenca e pikëve me vendin e dytë mbetet po 9, por mund të ishte një ndeshje më e bukur, të paktën me një barazim. Trajneri Gega mori përgjegjësitë pas humbjes dhe u shpreh i çuditur më atë që po i ndodh ekipit të tij.

Nga ndeshja Partizani-Luftëtari, 1-3

Shumë më e zymtë është bërë situata te Tirana pas humbjes në Vlorë. Sigurisht, zërat se “Tiranës duan t’ia futin” do të shtohen në vazhdim, duke pasur parasysh atë që ndodhi këtë javë, por problem është se Tirana nuk është në rregull me veten. Ndeshja e Vlorës u vendos nga një gol i Xhevahir Sukajt në pjesën e parë, kurse Tirana humbi një penallti, që u gjuajt jashtë nga Imami. Te Flamurtari kanë nisur të shohin ëndrra me Europë, ndërsa te Tirana ëndrra me makthet e Kategorisë së Parë. Bardheblutë kanë katër ndeshje që nuk fitojnë dhe tani ndjejnë frymëmarrjen e krutanëve, të afruar 3 pikë. Ndoshta gjithçka do ta vendosë ndeshja direkte me Kastriotin, që Tirana e luan në fushën e saj, por tashmë stresi është shtuar shumë dhe një rënie e dytë një kategori më poshtë, do të ishte vërtet fatale.Trajneri Ardian Mema shpërtheu pas humbjes në Vlorë, duke i dhënë një përgjigje direkte pyetjes tonë: "Po luhet në tavolina, le të kënaqen provincialët", - tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë