Futboll

“Luftë” në miqësore, lojtari i Liverpulit del me barelë (video)

Një “betejë” e vërtetë në stadiumin “Fenway Park” të Bostonit mes Liverpulit dhe Seviljes, edhe pse ishte vetëm një miqësore. Anglezët kanë akuzuar spanjollët për sjellje të dhunshme në fushë në këtë miqësore vere. Lojtari i Liverpulit, Jaser Larouci, la fushën me barelë dhe përfundoi me paterica për shkak të një ndërhyrjeje brutale të kundërshtarit.

Larouci, i shtrirë në fushë, pas ndërhyrjes së dhunshme nga Gnagnon

Trajneri Jurgen Klop po fillon ta mallkojë turneun amerikan. Liverpuli i tij humbi miqësoren e parë me Borusia Dortmund dhe trajneri gjerman shpresonte për një ndeshje më të mirë ndaj Seviljes, por u mund sërish, këtë herë 2-1 dhe me polemika. Drejtuesve dhe lojtarëve të Liverpulit nuk u ka pëlqyer aspak loja e ashpër e spanjollëve, të cilët e mbyllën ndeshjen me 10 vetë. Joris Gnagnon u ndëshkua me karton të kuq për një ndërhyrje prej “killeri” ndaj të riut Jaser Larouci. Kjo mënyrë loje u quajt e turpshme nga Liverpuli, sepse një nga talentet më premtues të kësaj skuadre, u largua nga stadiumi me paterica. Episodi i shëmtuar ndodhi në minutën e 76-të, kur rezultati ishte 1-1. Larouci la fushën, pasi u godit dhunshëm pa top nga francezi Gnagnon, por nuk ishte i vetmi incident i ndeshjes. Herri Uillson u godit me bërryl në fytyrë nga Ever Banega.

https://twitter.com/Zona10_ok/status/1153110162519052289
Ndërhyrja brutale ndaj talentit të Liverpulit, Larouci

“Të kuqtë” reaguan pas ndeshjes, siç bën me dije “Telegraph”. Xhejms Milner sulmoi direkt ekipin spanjoll: “Ishin disa ndërhyrje të ashpra dhe të pandershme. Ishte thjesht një miqësore dhe në të tilla ndeshje nuk ka kartonë të kuq. Nëse do të bësh një faull, tërhiqe kundërshtarin nga fanella, jo ta godasësh atë direkt në gju. Është e turpshme t’i shohësh ato pamje”. Edhe Virxhil Van Dijk foli për këtë episod, duke inkurajuar shokun e skuadrës: “Nuk duhet t’ua bësh këtë gjë kundërshtarëve para nisjes së sezonit. Shpresoj që Larouci të mos jetë dëmtuar aq keq”, - tha holandezi.

Klop foli me kolegun Lopetegui gjatë ndeshje që Sevilja e fitoi 2-1. Pas ndeshjes trajneri i Liverpulit u tregua diplomat në konferencën për shtyp: “Është shpejt për të folur. Duket se djaloshi ka qenë me fat, por duhet të presim pak. Nuk kam folur ende me doktorin. Lojtari ynë nuk mund të luante më, kurse në dhomat e zhveshjes u duk gjithçka në rregull. E njëjta situatë edhe për Uillsonin, i cili u godit me bërryl nga Banega”.

https://twitter.com/SevillaFC_ENG/status/1153105501397364738
Ndjesa e lojtarit të Seviljes, Gnagnon

Pas ndeshjes, Gnagnon kërkoi falje publikisht me një mesazh të postuar në Tuiter: “Kërkoj falje për atë gjest të dënueshëm nga ana ime. Një veprim i pajustifikueshëm, që nuk duhet parë më në fushat e futbollit, për asnjë arsye. Lutjet e mia janë për lojtarin e Liverpulit dhe për familjen e tij”, - ka shkruar francezi. Edhe klubi i Seviljes ka kërkuar ndjesë në faqen e saj zyrtare në rrjetet sociale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë