Dosje

Lufta për pazaret e drogës në Britani përgjak rrugët në Shqipëri, prokurori i Elbasanit: Hakmarrja është traditë

Gazeta Si - Bandat shqiptare të trafikut të drogës, kanë përfunduar sërish në fokusin e mediave britanike. E përditshmja prestigjioze "The Sun", i ka kushtuar në artikull të detajuar grupeve kriminale të vendosura në ishull prej dekadash, të cilat në disa raste përfundojnë edhe me vrasje, duke treguar arsyen “pse kartelet janë kaq të pamëshirshme”.

Drejtuesi i Prokurorisë së Elbasanit, Kreshnik Ajazi në një intervistë për tabloidin britanik thotë ndër të tjera se “në Shqipëri ka një traditë”, e cila sipas tij është “hakmarrja”.

“Problemi është se në Shqipëri hakmarrja është traditë, kështu që nuk mund të parashikojmë se çfarë do të ndodhë”, tha ai.

“Vjedhja e 50 kilogramëve kokainë në Angli shkaktoi një sërë sulmesh hakmarrëse në Shqipëri, duke përfshirë tre persona që u qëlluan në Range Rover me AK-47. Dhe një tregtar i dënuar për vrasjen e një rivali në Southampton është qëlluar për vdekje brenda një burgu të sigurisë së lartë në Shqipëri. Një vrasje për hakmarrje. Ndërkohë që po hetohet një tjetër vrasje e një shqiptari në Londër”, shkruan “The Sun”.

“Këto mosmarrëveshje mes bandave janë krijuar në Angli, por hakmarrja ndodh në vendin tonë. Kur u bëra kryeprokuror, qëllimi im ishte të sfidoja ato banda, gjë që ne e kemi bërë. Kjo do të thotë që unë tani shoqërohem në çdo minutë të jetës sime nga një eskortë speciale nga policia e shtetit, e cila ju tregon se në çfarë lloj rreziku jam. Por ia ka vlejtur”, - shprehet Ajazi.

Duke dhënë statistika, “The Sun” shkruan se falë punës së policisë së shtetit dhe të SPAK, shkalla e vrasjeve të lidhura me bandat lokale në qytetin e Elbasanit ka rënë.

Në shkrimin e tabloidit britanik, thuhet gjithashtu se policia po i godet anëtarët e grupeve kriminale dhe trafikantët aty ku u dhemb më shumë, tek xhepat e tyre.

Duke pasur parasysh kështu sekuestrimin e automjeteve luksoze të cilat policia e shtetit po i përdor tashmë për patrullim.

Agjencia Kombëtare e Krimit muajin e kaluar nënshkroi një marrëveshje me policinë shqiptare për të sfiduar kriminelët që kontrollojnë tregun e kanabisit në Mbretërinë e Bashkuar.

Rreth 1.700 anëtarë të bandave mendohet se janë të lirë në Britaninë e Madhe dhe ka më shumë shqiptarë në burgjet britanike se çdo kombësi tjetër e huaj, edhe pse Shqipëria ka një popullsi prej vetëm 2.8 milionë banorësh.

Në shkrimin e saj, “The Sun”, përmend dy ngjarje kriminle për hakmarrje në Shqipëri që kanë pasur lidhje me trafikun e drogës: atë të vrasjes së Endrit Alibejt në vitin 2018 në Bradashesh, ku humbi jetën kunati i tij dhe një shtetas turk dhe vrasjen në burgun e Peqinit në nëntor 2023 të Arben Lleshit nga Sokol Mjacaj.

Përshtati: Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë