Gazeta Si – Gjatë një operacioni të policisë me urdhër të SPAK në kampin e muxhahedinëve në Manzë të Durrësit, për kapjen e elementëve terroristë, dyshohet se ka mbetur i vrarë një person dhe janë plagosur disa të tjerë
Pretendimet janë ngritur nga banorët e kampit “Ashraf 3”, sipas të cilëve një prej anëtarëve të opozitës iraliane është vrarë pas përplasjes me policinë.
Policia shqiptare në rrugë jo zyrtare i ka hedhur poshtë këto pretendime dhe bën me dije se një mashkull i moshës 60-70 vjeç ka ndërruar jetë në kamp si pasojë e një arresti kardiak. Policia shton se viktima është dërguar për ekpertizë mjekësore.
Më herët, zëdhënësi i shtypit të kampit Ashraf, Shahriar Kia tha se njëri prej banorëve është vrarë. “Një banor i Ashrafit u vra nga sulmi i policisë. Ky veprim është vetëm për të qetësuar mullahët iranianë që po bien. Ky aksion është i ngjashëm me atë të 17 qershorit që u zhvillua në Paris, por ky është në kufirin e Shqipërisë. Ky është një nga ditët më të zeza në Shqipëri. Ajo që ju shkrova nuk është qëndrimi zyrtar i autoriteteve të Ashrafit, por ajo që thonë banorët e Ashrafit”.
Burime për Gazetasi.al, bëjnë me dije se ka pasur përleshje dhe kundërshtim mes punonjësve të policisë dhe personave në kamp.
Sipas informacioneve, pati tensione në hyrje të kampit, ku anëtarë të MEK protestuan ndaj situatës së krijuar brenda kampit nga kontrollet policore dhe humbja e jetës së njërit prej tyre.
Këtë të martë, Policia e Shtetit dhe Antiterrori po ekzekutonte një urdhër kontrolli të lëshuar nga Gjykata e Posaçme në ambientet e kampit MEK në Manzë të Durrësit.
Burime policore bëjnë me dije se urdhri i kontrolleve është në kuadër të luftës kundër terrorizmit dhe për parandalimin e sulmeve kibernetike.
Shumë nga banorët e kampit, ku strehohet opozita iraniane janë shoqëruar dhe janë marrë në pyetje dhe janë kthyer sërish në kamp.
Sipas policisë, “në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe të urdhrit të ekzekutimit të Prokurorisë pranë kësaj Gjykate, për kontrollin e të gjitha ambienteve dhe zyrave ku banojnë për qëllime humanitare, Policia e Shtetit, në kuadër të një plani operacional, ka filluar kontrollin e të gjitha ambienteve dhe zyrave në kampin MEK, në Manëz, Durrës”.
“Në zbatim të urdhër-kontrolleve të nxjerra nga Gjykata, Policia e Shtetit ka marrë masa për zbatimin e tyre, me planin e kontrollit të ambienteve në territorin e kampit MEK, duke zbatuar me rigorozitet etikën dhe komunikimin e duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve dhe komunitetit që banon në këtë kamp”, thuhet në njoftim.
Aktualisht, rreth 3,000 anëtarë të MEK, opozita iraniane vlerësohet të jetojnë në Kampin Ashraf-3, një kompleks ky i fortifikuar rëndë.
Për herë të parë, muxhahedinët nisën të vijnë në Shqipëri në vitin 2013 pas një marrëveshjeje me qeverinë e atëhershme shqiptare, të drejtuar nga Sali Berisha.
Organizata politike e rreshtuar në krah të kundërt me regjimin e ajatollahëve të Iranit, është në konflikt të hapur me të.
Grupi është në shënjestrën e Gardës Kombëtare iraniane. Raporte të ndryshme tregojnë se shërbimi sekret iranian ka rekrutuar edhe shtetas shqiptarë për t’i mbajtur muxhahedinët e MEK-ut nën vëzhgim, e për këtë paguheshin nga Teherani.
Që në vitin 2018, është hapur një dosje që flet për rrezikun e një goditjeje të mundshme në Shqipëri. Tre vjet më parë, u zbuluan planet e një celule terroriste iraniane që pretendohej se do të kryente një sulm terrorist në Shqipëri në ditën e Sulltan Nevruzit në Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve.
Muxhahedinët janë opozitarë iranianë, të cilët prej dekadash luftojnë kundër regjimit diktatorial të Teheranit dhe që kanë një vendstrehim të rëndësishëm në Manzë të Durrësit të mbështetur politikisht dhe ekonomikisht nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.