Gazeta Si – Dhe pas 251 ndeshjesh, Injaki Uilliams u ndal… Ecuria e pabesueshme e futbollistit bask u ndal të dielën. Lojtari i Atletik Bilbaos, i cili doli i dëmtuar nga ndeshja e Kupës së Mbretit me Valencian, nuk u grumbullua në kampionat ndaj Selta Vigos.
Për herë të parë që nga viti 2016, sulmuesi i kombëtares ganeze humbi një ndeshje kampionati. Hera e fundit që i madhi i vëllezëre Uilliams nuk kishte zbritur në fushë në La Liga me Atletik Bilbaon ka qenë më 17 prill të 2016-ës.

Që atëherë Injaki i ka luajtur të gjitha ndeshjet, 251 radhazi. Ai theu rekordin e mëparshëm të Huan Antonio Larranjaga, që ishte ndalur në 202 ndeshje radhazi. Pas tij vinin portierët Arkonada me 188 ndeshje dhe Zubizarreta me 182 ndeshje.
Interesant është fakti se bëhet fjalë për katër futbollistë baskë. Rekordi i Uilliams është sensacional, po të kemi parasysh faktin se Injaki është një sulmues, ka një fizik të fortë dhe është shumë i shpejtë.
Është e lehtë të mendosh se gjithë këto vite një muskul mund të tradhtonte, apo një goditje e marrë mund ta bënte lojtarin të humbiste një ndeshje. Dhe me në fund ndodhi, pas 1174 ditësh aktivitet pa shkëputje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.