Kombetarja

Lorik Cana zbërthen grupin e Shqipërisë: Na lejohet të shpresojmë!

Për shumë vite kapiten, lider dhe imazh i Shqipërisë. Lorik Cana i ka përjetuar emocionet e kualifikimit të Shqipërisë në një Europian, në Francë 2016, arritja më e madhe e Shqipërisë në futboll. Një sukses që e gjeti ish-kapitenin e Olimpikut të Marsejës në fundin e karrierës. Tani, pas hedhjes së shortit për eliminatoret e Euro 2020, Cana pranon se kualifikimi është shumë i vështirë, por mendon se Shqipërisë i lejohet të shpresojë.  

Në një intervistë për Gazeta Si, ish-kapiteni legjendar zbërthen kundërshtarët e Shqipërisë në Grupin H dhe thekson se, nëse kuqezinjtë shfaqin urinë e duhur për sukses dhe nëse vënë në funksion përvojën e fituar vitet e fundit, mund të bëjnë diçka pozitive, që mund të jetë edhe vendi i tretë, duke parë forcën e rivalëve. Shqipëria ka në grup Francën, Islandën, Turqinë, Moldavinë dhe Andorrën, që Cana i analizon me radhë.

Cana dhe ish-trajneri i kuqezinjve, De Biazi

Lorik, si ju duket shorti i eliminatoreve të Euro 2020, a ka shanse kualifikimi Shqipëria?      

Të jem i sinqertë, mund të kishte qenë një short shumë më i keq. Nga këto ekipet e para, kemi në grup një nga  më të fortat, që është Franca. Por edhe po të ishte një ekip tjetër në vend të Francës, me gjendjen që ka Shqipëria, është e vështirë ta konkurosh për vendin e parë. Mund të ishte Portugalia dhe pavarësisht se ne jemi kualifikuar në grup, ajo shkoi te fitorja. Ekipet e mëdha i marrin pikët shpejt dhe është e vështirë t’i rivalizosh për vendin e parë.

Duke e marrë të mirëqenë Francën në vend të parë, sa e lejon shorti Shqipërinë të kërkojë vendin e dytë?

Gjithmonë ka një short, që mund të jetë më i favorshëm, por përgjithësisht ky që i ka rënë Shqipërisë është një short i mirë. Nga vazoja e dytë dhe e tretë na kanë rënë Islanda dhe Turqia, dy skuadra të forta. Islanda vitet e fundit është treguar ekip i fortë, ka shkuar në Europian dhe Botëror. Do të jetë pretendente për vendin e dytë, sepse ka një ekip të mirë. Pavarësisht se në një moment do të ketë një rënie, që ka të bëjë me ndërrimin e gjeneratave, besoj se e ka gati, pasi di që moshat e Islandës janë shumë të mira. Gjenerata aktuale është në maksimumin e saj.

Cana në dyluftim me Mehmedin e Zvicrës

Po Turqia?

Turqia mungon prej disa vitesh në nivelin e lartë të futbollit. Nuk është në nivelin e saj më të mirë, ka munguar në Botërorin e fundit dhe u kualifikua në momentin e fundit për në Europianin e Francës. Nuk është e sigurt në forcat e saj, edhe pse ka lojtarë shumë të mirë. Pastaj, duke e parë këto dy skuadra, mendoj se mund të kishim kundërshtarë më të fortë.

Dhe në fund Moldavia dhe Andorra?

Moldavia vjen nga vazo e pestë, ku kishte kundërshtarë më të fortë. Gjykimi im është se duhet t’i domiunojmë të dyja ndeshjet me këtë kundërshtar, ashtu si dhe me Andorrën. Jemi në një grup me gjashtë skuadra dhe nuk duhet të lëmë pikë me asnjërën nga këto dy skuadra. Me Turqinë dhe me Islandën, nëse jemi në formë të mirë, të konsoliduar dhe me uri për një sukses të ri, është e lejueshme të shpresojmë për kualifikim.

Nëse në fund lëmë pas njërën mes Turqisë dhe Islandës, pra nëse kapim vendin e tretë në grup, a do të ishte sukses?

Po, besoj se do të ishte sukses, sepse të dyja këto dy skuadra kanë diçka më shumë se ne në këtë moment. Turqia ka lojtarë të mëdhenj, kurse Islanda ka vazhdimësi në rezultate dhe ka marrë pjesë në kompeticionet e fundit. Nëse kapim vendin e tretë, është një arritje, sigurisht.

Cana në dyluftim me sulmuesin e Serbisë, Mitroviç

Lorik, ju i keni ndjekur ndeshjet e Shqipërisë, që kohët e fundit ka pasur edhe shumë mungesa. A do të jetë gati në mars, kur nisin eliminatoret?

Përbërja e lojtarëve është ajo që ka qenë, jemi një apo dy elementë që jemi larguar, pjesa tjetër është dhe ka potencialin e saj. Lojtarët e kësaj gjenerate po arrijnë pjekurinë e tyre me përvojën që kanë fituar vitet e fundit dhe mund të marrin më të mirën nga vetja. Thjesht nuk duhet të mungojë uria dhe dëshira për sukses. Ka vështirësi çdo edicion, çdo histori e re ka vështirësi, nga një realitet në një tjetër. Duke parë skuadrën, grupin që kemi qenë dhe grupin që jemi tani, them se është një grup më i aksesueshëm. Besoj se kur ekipi është në formë, ka kapicitete për të bërë gjëra të mira.

Po ka vështirësi pa lojtarë si Sadiku, Roshi dhe Abrashi e ndonjë tjetër?

Shqipëria ka pasur një grup prej së paku 16 lojtarësh, që janë ndërruar shpesh. E ka potencialin, sepse edhe nëse nëse dy apo tre nuk aktivizohen, jana atë të tjerët gati. Nëse ka dëmtime, ka edhe vështirësi, kuptohet. Por e përsëris, ekipi duhet të bazohet në dy gjëra: te dëshira për sukses dhe të përfitojë nga përvoja që ka marrë nga gjithë këto vite.

Cana merr çmimin "Albanian Sports Ambasador" nga presidenti i FSHF-së, Duka

Shortin e Kosovës, di do ta cilësonit?

Kosova është në një nisje, ka një profil lojtarësh jashtëzakonisht interesantë, lojtarë të rinj shumë cilësorë, të cilët e treguan veten që në Ligën D, ku ishin pa dyshim ekipi më i mirë në grup. Kanë fatin që kanë një skuadër me lojtarë të rinj dhe cilësorë. Nga edicioni i kaluar janë afruar lojtarë që po luajnë në klubet e tyre. Kanë cilësi teknike dhe dëshirë për sukses, arritën të fitojnë grupin dhe kanë shansin të jenë në gjysmëfinale të Ligës së Kombeve. Shumë shpejt do të jetë në vazon C. Janë treguar shumë të qartë në projektin e tyre. Patjetër që është një mundësi që duhet ta luajnë deri në fund. Shumë herët për të pretenduar kualifikimin, por nëse vazhdon kështu, në këtë rrugë, Kosova jo vetëm do të ngjitet në renditjen e FIFA-s, por shumë shpejt do të jetë një skuadër pretendente për në një kompeticion madhor.

Intervistoi: Fatjon Rupi


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë