Kombetarja

Lorik Cana garanton francezët: Himni juaj nuk do të vërshëllehet!

Në Francë i druhen paksa faktit se ndoshta Shqipëria mund të marrë “hak” në ndeshjen e sotme për çështjen e himnit. Shqetësimi vjen, sepse në ndeshjen e zhvilluar në Francë pak kohë më parë, autoritetet franceze ngatërruan himnin tonë me atë të Andorrës, por edhe për faktin se presidenti Makron vendosi që të mos hapen negociatat e anëtarësimit në BE për Shqipërinë.

Lorik Cana, ish-kapiten i Shqipërisë. gazeta Si, 17 nëntor 2019

Për t’i qetësuar ka menduar ish-kapiteni i Shqipërisë dhe Olimpikut të Marsejës, Lorik Cana, i cili në një intervistë për “Ouest France”, ka theksuar se himni francez nuk do të vërshëllehet në “Air Albania Stadium”. “Është një ndeshje speciale për mua. Luan vendi im me Francën, ku kam luajtur për gati 10 vjet. Kjo ndeshje është speciale, sepse inaugurohet stadiumi ynë i ri. Pritje armiqësore për Francën? Isha në stadium ndeshjen ku u ngatërrua himni dhe ishte një episod i pakëndshëm për ne, por përfundoi aty. Kemi marrëdhënie të mira dhe Shqipëria është mikëpritëse. Nuk pres të ketë vërshëllima, kur të këndohet himni i Francës”, - ka thënë mes të tjerash Lorik Cana.

Ai është mjaft i njohur në Francë, sepse ka luajtur për dy nga klubet më të mëdha të këtij vendi, PSG-në dhe Olimpik Marsejë. Cana, ashtu si shumë ish-futbollistë të shquar të Kombëtares, është ftuar për të qenë i pranishëm në këtë ndeshje festive.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë