Politike

”Lokalet i fitojmë me çdo çmim”, Meta për Kryemadhin: Droni i të vërtetës tregoi se Tirana s’ka incenerator

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka paralajmëruar se zgjedhjet e 14 majit do të jenë një ndryshim me çdo çmim. Meta nuk specifikoi më tej i pyetur nëse do të njihte zgjedhjet e 14 majit, por shtoi se nuk do të lejohet që vota të vidhet.   

“Do ta shikojnë te kutitë e votimet nëse dikush vendos të vërë dorë.  Më 25 prill diheshin marrëveshjet dhe pazaret dhe kutitë ishin mbyllur. Ishte marrëveshje e përbashkët e të dyve për rezultatin që duhet të dilte. Ne do të luftojmë deri në fund për fitoren e opozitës, për një proces të ndershëm dhe të rregullt. I vetmi i interesuar për prishjen e procesit që po punon për prishjen e tij është Edi Rama dhe marionetat e tij. Ne jemi shumë të qartë në rrugën tonë, ndryshim me çdo çmim. Çmimin le ta caktojë vetë ai që dëshiron të vërë dorë mbi procesin zgjedhor për herë të tretë apo të katërt”, tha Meta.

Kreu i Lirisë pati një kompliment për bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi lidhur me faktet e fundit te publikuara nga ajo se në Tiranë nuk ka incenerim por vetëm groposje, ndryshe nga shërbimi i plote që paguajnë qytetarët e kryeqytetit.   

“Në inceneratorin e Tiranës bëhet vetëm një groposje primitive e mbeturinave. Provohet e kundërta e deklaratave mashtruese. Kryeministri tha se procesi në inceneratorin e Tiranës është ekselent por në fakt ka gënjyer. ‘Droni i së vërtetës’ zbuloi se Tirana nuk ka incenerator por është thjesht një vend grumbullim mbetjesh njëlloj si landfilli i Shkodrës.  1600 lekë të reja për ton në Shkodër, ndërkohë që Bashkia e Tiranës paguan 29 euro për ton, duke na e shitur si proces incenerimi por bëhet vetëm groposja. Pa incenerim”, tha Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë