Futboll

Lojtarët e Arsenalit përfundojnë në një luftë gangsterësh në Londër

Nuk ka paqe në Angli për Mesut Ozil, ish-lojtarin e kombëtares gjermane, por tani problemet janë jashtë fushe. Bashkë me të, në një situatë të pazakonte ndodhet edhe lojtari tjetër i Arsenalit, boshnjaku Kolashinac. Të dy këta lojtarë survejohen 24 orë në 24 nga policia e Londrës.

Mesut Ozil dhe Sead Kolashinac janë përfshirë së fundi në një luftë mes bandash në Londër, kuptohet, pa dëshirën e tyre. Lajmi bëhet i ditur nga britanikja “The Sun”, që shkruan se ditën e enjte janë arrestuar nga policia dy 27-vjeçarë, Ferhat Erçan dhe Salaman Ekinçi, të cilët silleshin në mënyrë të dyshimtë rreth vilës së Ozil në Hampstead Heath, në veri të Londrës. Hetimet, sipas prestigjiozes britanike, kanë nisur pas denoncimit të dy futbollistëve të Arsenalit në javët e fundit se ata ishin kërcënuar nga disa persona pranë banesave të tyre.

Kolashinac dhe Ozil, dy lojtarët e Arsenalit, të kërcënuar nga një bandë keqbërësish. Gazeta Si, 11 gusht 2019

Më 25 korrik, Kolashinac u bë personazh i kronikave sportive dhe jo vetëm, pasi u përball me dy persona të armatosur me thika, teksa ishte duke hipur në Mercedesin e Ozilit. Dy personat e armatosur deshën të vidhnin sendet me vlerë të futbollistëve, orët dhe varset, ose ndoshta edhe makinën e futbollistit turko-gjerman të Arsenalit. Bashkëshortja e mbrojtësit boshnjak, Kolashinac, u kthye në Gjermani e terrorizuar, për të mos u kthyer kurrë në Angli, siç deklaroi ajo vetë. Më pas, siç bën me dije “The Sun”, disa keqbërës i kishin kërcënuar lojtarët e “Topçinjve” se do t’u rrëmbenin gjithçka që ata kishin. Por në këtë pikë, gjithmonë sipas gazetës britanike, ka hyrë në mes një tjetër bandë londineze, që nuk e toleron sulmin ndaj futbollistëve.

Një situatë ankthi për Ozil dhe Kolashinac, të cilët tashmë po survejohen gjatë gjithë kohës nga policia. Për arsye sigurie, Arsenali vendosi t’i lërë të lirë nga impenjimet e skuadrës dy futbollistët. Ata nuk janë grumbulluar për transfertën e Njukasëllit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë