Futboll

Lojtarë të natyralizuar te Kina? Vetëm nëse kalojnë provimin politik!

Për ata futbollistë që duan të natyralizohen si kinezë dhe të luajnë me kombëtaren e “Dragonjve”, kushti është vetëm një: të ulen në tavolinë, të hapin librat dhe të studiojnë historinë e Partisë Komuniste të Kinës. Ky është vendimi i fundit i Federatës Kineze të Futbollit, që kërkon nga lojtarët e natyralizuar jo vetëm të dinë gjuhën dhe himnin, por të njohin edhe kulturën bazë të vendit dhe historinë e tij.

Në përpjekje për ta rritur nivelin e kombëtares së futbollit, që për momentin mban vendin e 72-të në renditjen e FIFA-s, Kina ka vendosur të rekrutojë futbollistë nga vende të tjera, por që kanë origjinë kineze dhe që duhet të dinë shumë për këtë vend. Nga të parët që kanë vendosur të luajnë për Kinën është “norvegjezi” Hou Yongyong dhe "anglezi” Nico Yennaris, që luan me Beijing Guoan. Presidenti i Kinës dhe sekretari i Partisë Komuniste, Xi Jinping, është i predispozuar ta transformojë kombëtaren në një fuqi të futbollit botëror, duke e pasur prioritet në mandatin e tij. Qëllimi kryesor i tij është masiviteti dhe për këtë ka një program të qartë, ku futbolli do të jetë jo vetëm në shkolla, por edhe në kopshte. Ditët e fundit Kina ka lançuar një projekt pilot për promovimin e futbollit te fëmijët në moshë të vogël, madje do të ketë edhe shkolla të reja futbolli. Ministria e Arsimit ka parashikuar që brenda këtij viti të shtohet numri i kopshteve nga 50 në 200 kopshte në çdo provincë dhe në secilin prej tyre futbolli ka rëndësinë e vet.

Fabio Kanavaro, trajneri i kombëtares kineze

Në ndeshjet e fundit, kombëtarja e Kinës, e drejtuar nga trajneri Fabio Kanavaro, nuk ka bërë një figurë të mirë, pasi ka humbur me Tailandën dhe Uzbekistanin. E ardhmja e futbollit kinez pritet të jetë ndryshe dhe iniciativa e fundit e qeverisë me siguri do t’i japë një shtysë të fortë zhvillimit të futbollit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë