Lojërat Olimpike Dimërore në vitet e fundit kanë marrë një peshë shumë të madhe dhe për nga numri i sporteve që marrin pjesë mund të krahasohen me Lojërat Olimpike Verore. Në vitin 2026, Komiteti Olimpik Italian (CONI) ka vendosur që për këtë aktivitet të kandidojë me qytetet e Milanos dhe Cortina. Ky vendim i CONI ka sjellë një reagim të madh në Itali, pasi një qytetet potenciale që mund t’i priste këto lojëra Olimpike ishte dhe Torino.
Lajmi është zyrtarizuar nga presidenti i Lombardisë, Attilio Fontana që kandidatura italiane do të jetë me këto dy qytete.
“Vendimi do të jetë në linjë me Agjendën 2020 dhe rregullat e rinj të miratuar. Në këtë iniciativë do të përfshihen të dy rajonet, Veneto dhe Lombardia dhe jo vetëm dy qytetet, Milano dhe provinca e vogël Cortina. Kandidatura e përbashkët e të dyja qyteteve ka edhe mbështetjen e qeverisë.”- ka thënë Giovanni Malago, president i CONI.
Jo vetëm sport, por edhe politikë
Ky vendim i CONI për të zgjedhur Milanon dhe Cortina për të kandiduar për Lojërat Olimpike të vitit 2026 ka shkaktuar një debat në Itali. Torino gjithashtu ishte kandidat për të organizuar këtë kompeticion, por CONI e ka përjashtuar kryeqendrën e rajonit Piemonte. Ky vendim ka sjellë menjëherë reagimin e kryebashkiakes së Torinos, e cila e ka konsideruar të pakuptimtë, zgjedhjen e Milanos dhe Cortina për të pritur këto Lojëra Olimpike Dimërore. Sipas saj në Piemonte ishte infrastruktura e gatshme dhe se në këto dy qytete do duhet të ndërtohet çdo gjë nga e para.

“Torino ishte opsioni më pak i kushtueshëm dhe kush e ka marrë këtë vendim duhet t’ia shpjegojë qytetarëve. Komiteti të bëjë votim për opsionet dhe të vlerësohen të gjitha kushtet”, tha Chiara Appendino, kryebashkiake e Torinos.
Por akoma dhe më shumë konfuzuese ishin deklaratat e zëvendëskryeministrit të Italisë, Luigi Di Maio, që tha se qeveria italiane nuk do të paguaj asgjë për këto lojëra olimpike. Në fakt kosto e një aktiviteti të tillë mund t’i kalojnë 380 milionë euro. Ky është një fond shumë i madh, që mund t’i tejkalojë buxhetet e të dy rajoneve edhe pse bëhet fjalë për dy rajonet më të pasur të Italisë.
Para gati një viti në Lombardi dhe Veneto u zhvillua një referendum për të rritur autonominë nga qeveria e Romës dhe kjo ngjarje dhe debatet e mëdha që janë duke zhvilluar mund ta nxisin akoma dhe më shumë këtë distancim tw dy rajoneve nga Italia. Vlen të theksohet se Torino i ka pritur Lojërat Olimpike Dimërore dhe ato Paraolimpike të vitit 2006.

Kandidatura e përbashkët e Milanos dhe Cortina të mbështetura nga CONI do të vihen në garë edhe me Sion e Svicrës; Calgary në Kanada; Stockholmi në Suedi dhe Sapporo, në Japoni. Vendimi për vendin organizator nga komiteti Olimpik Ndërkombëtar do të merret në shtatorin e vitit të ardhshëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.