Politike

Lleshaj: RENEA tek teatri pas informacioneve për tritol!

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj u thirr në interpelancë këtë të enjte në lidhje me dhunën e ushtruar nga Policia e Shtetit më datë 17 maj, gjatë operacionit për lirimin e godinës së Teatrit Kombëtar dhe më pas gjatë përplasjes me protestuesit që kundërshtonin prishjen e kësaj godine.

Lleshaj tha se policia nuk shkoi me nismën e saj brenda mjediseve të godinës, por u thirr nga Bashkia e Tiranës për të përmbushur detyrimet e saj ligjore dhe më pas shpjegoi dallimin mes forcës dhe dhunës.

“Dhuna dhe forca janë gjëra të ndryshme dhe të njëjta. Dhuna është forcë e ushtruar madje edhe në ligjin për Policinë e Shtetit në këtë term shkohet. Këto janë terma që shpjegojnë njëri-tjetrin. dhuna është ana kinetike e forcës”, deklaroi ai.

Ministri i Brendshëm mbrojti veprimet e policisë duke deklaruar se uniformat blu u detyruan që të përdornin forcën dhe këmbënguli se forca e përdorur prej tyre ishte përpjestimore me forcën e përdorur nga protestuesit.

Në lidhje me ndërhyrjen e armatosur dhe me qen anti-eksploziv të forcave RENEA brenda godinës së Teatrit Kombëtar, Lleshaj tha se vendimi ishte marrë për shkak se kishte informacione se brenda godinës mund të ishte vendosur eksploziv nga protestuesit.

“Ka patur nevojë për kontrollin e godinës pasi ka patur informacione se mund të kishte lëndë eksplozive në brendësi të teatrit”, u shpreh ai.

Ministri mbrojti gjithashtu edhe dhunën e ushtruar nga policia ndaj dy përfaqësuesve të medias, gazetarit dhe analistit Alfred Lela dhe gazetarit Elio Laze. Ai tha se në të dyja rastet uniformat blu kanë zbatuar ligjin dhe se si Lela, ashtu edhe Laze nuk ishin në detyrë dhe kishin ndërhyrë duke prekur fizikisht punonjëset femra të Policisë së Shtetit.

“Policia nuk njeh hierarki në misionin e saj! Nuk njeh askënd përveç ligjit. Ka patur dy incidente me policinë nga dy përfaqësues të medias që nuk ishin në detyrë atë ditë. Ju e dini që ndërhyrja me dorë ndaj punonjësve të policisë përbën vepër penale”, vijoi ai.

Lleshaj këmbënguli se edhe mungesa e numrave të identifikimit të punonjësve të policisë ishte brenda ligjit. Duke iu referuar protestave të fundit në SHBA, ministri tha se as atje policia që përballet me protestuesit nuk ka numra identifikimi dhe refuzoi kërkesën për identifikimin e tyre.

“Ju nuk do t’i merrni emrat e policëve që morën pjesë në operacion. Të vetmit që kanë tagër për të hetuar operacionin janë prokurorët dhe prokuroria e shtetit”, u shpreh ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë