Futboll

Liverpuli nuk gabon me Porton, Totenhami shokon Sitin

Nuk kanë munguar surprizat në ndeshjet e para të fazës çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Mançester Siti është mposhtur nga Totenhami në Londër me rezultatin e ngushtë 1-0. Sakaq Liverpuli nuk ka gabuar në shtëpi ndaj portugezëve të Portos, duke triumfuar në shifrat 2-0.

Sfida e parë e Champions League në impiantin e ri të Totenhamit ka qenë më shumë se spektakolare. Ritëm, raste, gola dhe çdo gjë tjetër që mund të presim nga një ndeshje, kemi parë në sfidën e parë në këtë stadium modern, që në fund i buzëqeshi vendasve. Totenhami nuk pësoi gol as në ndeshjen e dytë në shtëpinë e re dhe ka marrë gjithashtu fitoren e dytë radhazi, që mund të rezultojë vendimtare për ecurinë në Ligën e Kampionëve. Golin vendimtar për të besuarit e Poketinos e shënoi koreani, Son në minutën e 78’, pasi hipnotizoi mbrojtësit e Mançester Sitit. Skuadra e Guardiolës i pati shanset e saj për ta fituar këtë ndeshje, por Aguerro shpërdoroi penalltinë në pjesën e parë dhe Stërling nuk mundi të shfrytëzonte rastet e shumta që pati përgjatë 90 minutave.

Sakaq përballja në “Anfield Road” nuk pati shumë histori. Për ekipin e Klop kjo sfidë kishte marrë vlerësimin maksimal, duke shënuar gol që në fillim dhe vendosi në presion ekipin portugez. Në minutën e 26’ Liverpuli shënoi dhe golin e dytë duke e vënë në shina këtë ndeshje. Vendasit patën edhe disa raste të tjera për të shënuar, por pa mundur dot të jenë konkret në para portës. Miqtë e Portos nga ana tjetër nuk e patën dot forcën e duhur për të vënë në vështirësi Liverpulin që këtë vit synon të shkojë sërish në finale, por për ta ngritur lart trofeun “veshgjatë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë