Futboll

Liverpuli nis vrapimin drejt titullit kampion, 4 gola në ndeshjen e parë

Ka filluar mbrëmë kampionati më i fortë në botë në edicionin e ri 2019-2020. Premier Liga e këtij sezoni e ngriti siparin me ndeshjen Liverpul – Noruiç e fituar nga “the reds” 4-1. Një fitore e thellë nga ekipi i Klop si për të dëshmuar edhe një herë tjetër se nuk ka ndërmend që të lëshojë pe këtë vit deri sa të çojë në “Anfiel” kupën e Premier Ligës që mungon prej më shumë se 30 vite.

Takimi filloi mbarë për të besuarit e Klop, teksa që në minutën e 7’ Halanei shënoi në portën e tij, duke ia bërë edhe më të lehtë fitoren kampionëve të Europës. Më tej Salah, Van Dajk dhe Origi hodhën firmat e tyre të para për këtë sezon, duke sigluar një fitore tenistike 4-0 që në 45 minutat e para.

Në pjesën e dytë, Liverpuli e uli një marsh në lojën e tij, duke u kujdesur për të ruajtur rezultatin, por edhe të mos humbasë shumë energji, pasi kampionati është shumë i gjatë përpara. Nga kjo ulje e ritmit të Liverpulit përfitoi Noruiç, që do të shënonte golin e nderit në minutën e 64’ me anë të Puki.

Liverpuli kështu e lëshon sfidën e parë ndaj Sitit të Guardiolës që do të zbresë sot në fushë përballë Uest Hemit. Sot do të luhen pjesa më e madhe e ndeshjeve të javës së parë, ndërsa kryesfida, Junajtid – Çelsi do të luhet të dielën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë